Shqip Pogradec Albania - Yours to Discover
Home
Arti & Kultura
English
 

Permbajtja
BOTIME
TROFETE

 


Istref Haxhillari - Shkrimtar

Rreth prozes : Bari i ujkut - Istref Haxhillari

Më shumë jetë se modë

Në kapërcyell të shekujve XX dhe XXI, si për të ringjizur një tekst të pafundëm që ish çartur nga ideologjitë, epika shqiptare e Veriut zbriti të njësohej e t'i rijepte jetë lirikës së Jugut, teksa kjo e fundit u ngjit të kthjellohej mes venave të epikës. Rjedhojat e këtij gërshetimi, që mund të shihet edhe si rigjetje e gegërishtes dhe toskërishtes në thellësitë ku vështrimi i shkencave nuk mbërrin dot, janë tashmë të pranishme në letrat shqipe.

Globalizimi shtroi si mëdyshje, - herë vrastare e herë tejet prodhimtare, - zgjerimin e Fshatit Global në dëm të fshatit të mirëfilltë. Ashtu si njeriu, që para vdekjes, ose para një lindjeje të dytë nga barku i pashtershëm i Metaforës, nis të rrëfehet për të lehtësuar (a pasuruar) shpirtin, truri i jetës shqiptare, me rrënjë të thella në fshat e degëzime të panumërta nëpër qendrat urbane, filloi të shkëndijonte, po vetëm për të ruajtur e përkryer Kujtesën.

Prozatori dhe eseisti pogradecar Istref Haxhillari është zëdhënës bindës i jetës së parme shqiptare, ngulitur në një zonë të gjerë plot thesare historike e kulturore, duke vijuar me përkushtim e një mënyrë të vetën disa nga hullitë e hapura prej Lasgushit (me qytezën e përjetshme, si ngrehinë e muzgut ku mbruhet fjala) e Mitrushit (me fshatin, po të përjetshëm, që vigjëlon si skelet fildishi nën lëkurën e kësaj jete).

Para së gjithash bie në sy e në zemër fjala e kulluar shqipe, muzika dhe vallëzimi i brendshëm i fjalive, që u japin edhe më shumë peshë temës e karaktereve. Veç freskimit të kujtesës dhe ravijëzimit të një harte shpirtërore, kufijtë e së cilës, në i kaloftë, bëhen fatale për lexuesin, proza e Haxhillarit u ruan trojet e merituara përshkrimeve të natyrës, tipareve njerëzore, trandjeve shpirtërore, habive, pyetjeve dhe mospërgjigjeve (si lartime të heshtjes) që nuk janë shpikur nga epoka pasmoderne, duke ngjizur një kohë të vetvetishme dhe të mbyllur për ata që kanë në qenie më shumë modë, se sa jetë.

“ Dalëngadalë errësira pushton qytetin, bregun e detit, pemët, krejt dukjen tokësore. Ze fill shtegtimi i ëndrrës së ditës nëpër natë, bie ora zvarranike e kapërcimit fshehtarak të rrugëve, ku nata e zezë i buzëqesh simotrës me sy të bardhë në ikje. Tisi i mbrëmjes mbllaçit dhe kapërdin me nxit copërat e fundit të ditës. Përtueshëm, me oshëtimë të ngadalshme, uji shushurin pa pushim, stërpik dhe lëpin me etje rërën e përvëluar nga rrezet e ditës. Largohet fuqiprerë, merr hov vjen sërish, nuk arrin gjer ku duhet, ndaj kthehet mbrapsht. Përngjet me fëmijën që kërkon të kapërcejë ledhin. Sa vjen te buza e tij ndërron mendje i pavendosur, pastaj përsëdyt provën e radhës.

Kujtimet e tymta sillen pa pushuar si rrjedha mjegulle mbi syprinën e rrudhur të ujit. Mbështetur rrëzë pishës stërmadhe, fare pranë bregut, ngula sytë në hapësirën levarashe me iskra drite nëpër muzg...”

Në një mjedis të tillë e vërteta e secilit zbulohet pa kurrfarë mundimi.

Dr. Ardian Kyçyku

Bukuresht 13 gusht 2009

_________________________________________________

 

Drurët e viteve kullojnë harrimin

Dy muaj më parë në të përditshmen e të përditshmeve u gjenda papritur mes një pylli, që shushurin gjithnjë edhe kur dëborërat bien drurëve gjetherënë. Në rrjetat e muzikës ndjen ëmbëlsinë e çastit poetik. Zbritur maleve të përhimtë harliset e freskët, nanuritëse, plot ngjyra, befasia. Dëgjon frymën e tij tek qesëndis bregoren, plasaritur nga dhimbja. Ç'është kjo dhimbje që zhduket e shfaqet si ajzberg? Llokoçit ujrat e jetës, trand deri në asht shpirtin përvëlimtar. Nuk është dhimbje që zgjat sa një e ndezur fill shkrepse. Vullkan shpirti i tij. Jo Vezuv hijerëndë, tashmë në vdekësinë e vet, po gurgullues çdo çast, minutë, orë e ditë. Derdhet mbi Dvor, flladit Valamarën, noton përmbi qytetin e liqentë. Si vijë melodioze shtrirë përgjatë një afresku, kjo ndiesi çel nëse lexon romanin “ Pesha e kohës ” shkruar nga autori kohë më parë. Ka linjën e tërë emocionuese.

Prozave grishet sërish kjo harmoni. Aty marrin hov dhe gërshetohen dhjetëra emocione. Ngjyen me dashurinë për vendin dhe njerëzit çdo fjalë dalë kraharorit prush me ngjarje. Emocioni di të heshtë po aq sa mirë sa di edhe të fla së. Sheh mjegullat si ndehen në pragje ditësh vjeshte këmbëkryq me jetën. Shikon liqenin që prehet në gjumin e mengjesit dhe fle si foshnjë, hënën tek hedh spirancën përtej kodrave. Syri i dimrit mbi rrjedhat e mjegullave shpon si thikë. Kujtesa e plagosur nëpër qerpikët e ujëvarave pikon mallin ëmbëltak. Ëndrrat kryqëzojnë kohën helikave të muzgut me plagët gërvishtur viteve. Lima neve ankoron gëzimet e dikurshme. Në shtegun ku dita thyhet bari i mallit gjelbëron lëndinës së kujtimeve. Lindin kështu tregimet buzë muzgjesh. Sodit kërshërinë e ngjarjeve, luan me fjalën siç luan përroi me brigjet që shkel për herë të parë. Tallaz ankthmalli muzgjeve të thinjura shikon trishtimin tek bie fushës së paanë të dhimbjes.

Pikon kjo dhimbje si loti i sorkadhes goditur nga gjahtari. Rrezet e fundme të së kaluarës së hareshme e mospërfillëse ndriçojnë qenien e tij në çdo hap të hedhur. Drurët e viteve rënkojnë nga erërat e shkapitura plot stuhi dhe kullojnë harrimin e gjatë...

Eduart Sulollari

 

Pasazhe nga proza “ Bari i ujkut ”

Kujtesë e plagosur

...Ulur rrëzë mështeknës së parkut, vështronte përreth e hutuar. Rrëkesë së kujtimeve, si dallëndyshe të plagosura, fluturonin orët dhe ditët. Vetmia brente ëndrrat, digjte kohën , prekte pikëllimin . Maji nuk i bënte përshtypje, as gjelbërimi i ndërkryer dhe tufat e harlisura të borzilokëve. Natyra vezulluese rrëshqiste jashtë saj shpërfillëse, mizore. Në kujtesën e plagosur, imazhe të vjetëruara endeshin kapërthyer si gjarpërinj, që hanin mbeturinat. Shëmbëlltyra e barit të ujkut, bimës nazike të vendit, e ndiqte pas ngado. Të tjerët e shikonin shtrembër, nuk i afroheshin, ajo e donte, mahnitej me potencën e tij. Kur e ndeshte ngazëllehej, sikur takohej me një mik të vjetër. Mes njerëzve ndihej më e braktisur se në parkun e blertë me kujtimet e lodhura. Pamja e sfilitur i largonte të tjerët, u vriste sytë njëlloj si bari i ujkut.

Shpirti i ndërkryer buis, e tundon të hapë zemrën, të rrëfejë sekretet ...

 

Ëndrrat kryqëzojnë kohën

... Ende nuk është errësuar. Horizonti ngjyer në vishnje varet anës detit si perde e kadifenjtë. Firohet në lëngatë dita e mekur. Rrënjët e pishave mbllaçitin lëngun e kaftë të dheut dhe kundrojnë me nge gjethet që fërkohen paturp në horizontin e mugët të fund ditës. Mbrëmja kurorëzon ëndrrën sfilitëse, na bashkon të malluar. Shkëlqimin e takimeve nuk e zbeh zezona e vendit. Hija frikuese e barit të ujkut dhe fantazma e Teodorës hungërijnë si kumtet e vdekjes nëpër humbellat e ferrit. Thellë kohës së thinjur, nusja e sapo ardhur u çmend nga piskama e barujkut. Njerëzit druajnë të afrohen përqark vendit ku lulëzon bima nazike ngjyrë bronzi. Askush nuk futet në kthinën tonë, fshehtësirë e ëmbël ku jetojmë çdo çast, ditë për ditë.

Rrëkesë së kujtimeve, si dallëndyshe të plagosura, fluturojnë orët dhe ditët. Shpirti i ndërkryer buis, më tundon të hap zemrën, të rrëfej sekretet...

__________________________________________________

 

Zotin Istref Haxhillari e quaj pa mëdyshje mjeshtër natyral të fjalës artistike, të historive komplekse mokrare e më gjerë. Në një si pjatë gostie mbi liqen, zhytje në natën dimërore dua t'i uroj këtij mjeshtëri të fjalës në pragun e vitit të ri 2010 dhe krishtlindjeve të shenjta festat dhe librin e ri “ Bari i ujkut ”. Shpesh Kërshëndellat më duket sikur kanë ndodhur në kasollet mokrare, harruar për një kohë të gjatë dhe ringjallur mjeshtërisht nga proza elegante e Istrefit.

 

Anastas Kostandini , ( Taso )

Piktor, Pogradec

__________________________________________________

Në tregimin “Syri i dimrit”, me mënyrën poetike të të treguarit, më rrëmben në botën magjepsëse të frazës Istref Haxhillari, një krijues pogradecar, deri dje i panjohur për mua. Siç duket llava poetike e vargut lasgushian është sendërtuar në një prozë metaforike, joshëse dhe çlodhëse. Akoma në buzë kam shijen e veçantë të frazës mbyllëse të tregimit:..

“Vera lind e brishtë, jeton e papërlyer, vdes kur e humb virgjërinë”...

Siç duket autori duhet të jetë verë e vjetër që serviret rrallë...për të kuptuar më mirë cilësitë dhe vlerat..!

Urime autorit

Luan Xhuli , Athine

__________________________________________________

Tregimi " Muzgje te thinjura" eshte ndertuar mbi imazhe te forta mbreselenese, perfytyrime e ngjyra poetike. Personazhet shkrihen e behen nje me elementet e natyres, shkembinjte, guret, bimet. Dy linjat, rrembimi i bagetive, si burim jetese dhe "rrembimi i dashurise" brenda fisit jane te harmonizuara. Humbja fatale e personazheve kryesore eshte e perligjur dhe realizuar bukur.

Bashkohem me mendimet e Luan Xhulit  nga Athina. Ne tregimet e Istrefit ka lirizem poetik, mendim e pathos njerezor, cka e shohim dhe te "Syri i dimrit"

 

Kostaq Duka , SHBA

__________________________________________________ 

I nderuari koleg, z.Istref Haxhillari,
E lexova me kenaqesi tregimin "Plasaritje malli "(ashtu sikurse dite me pare,"Syri i dimrit"). Me pelqeu per gjuhen lirike, pershkrimin piktoresk te natyres dhe gershetimin emocional te saj me karakteret njerezore.
Tregimin do ta klasifikoja ne ate "gjini" letrare, ku pleksen natyrshem lirizmi me epizmin shpirteror, poeti dhe prozatori; shtegun magjik te se ciles na e ka hapur Rrefimtari i Madh Pogradecar, Mitrush Kuteli. Pika delikate e kesaj "gjinie" eshte pikerisht, proporcioni midis lirizmit dhe epizmit te cilat jane shkrire ne kete rrefenje te mrekullueshme te dites se sotme.


Te pershendes dhe te uroj suksese te tjera krijuese!
Me respekt, 

Vangjush Ziko, Kanada

__________________________________________________


   I dashur Istref!

        Novela jote “ Muzgje te thinjura” nxit përjetime të fuqishme si ato që sjellin legjendat ndër shekuj, epika e Mujit e Halilit, poemat brilante të Bajronit, Kaukazi i ashpër i Lermontovit, tregimet romantike të Gorkit, Kuteli ynë i perëndishëm... Ngjan sikur e ke ngjyer penën në një mjedis magjik e të pakohë. Legjendar e romantik realiteti i “Muzgje të thinjura”, Valamara një majë mali e vendosur diku në një interland të paarritshëm. Me të ti po shfaqesh bukur në arën e madhe me lule e gjemba, po dhe djerrë të prozës shqiptare. Pa dyshim je prozator i lindur. Të përshëndes përzemërsisht dhe të uroj suksese e mbarësi.

Petraq Zoto, SHBA

__________________________________________________

I nderuari Istref,
  Kristaq Turtulli ju pershendet dhe ju uron gjithe te mirat.
Edhe pse nuk njihemi fizikisht, arti eshte celesi magjik, hap dyert e njohjes, te respektit dhe te vlerave.
Kam ndjekur krijimtarine tuaj te botuar ne  faqet e internetit. Per mendimin tim ju shkruani bukur, me ndjenje, dini te qemtoni faktin dhe ta ngrini ate ne art. Me ka mbetur ne mendje tregimi “ Vite pa ngjyre ” i vellimit

“ Bari i ujkut ”me plakun e semure te cilin e ngriten me perdhune, te dilte jashte ne te ftohte, te luante me pleqte e tjere... Detaji i bukur, urina si harte ne pantallona. Kjo eshte pleqeria e cila ndjek pas cdo njeri, por ju depertuat bukur. Ky eshte misioni i artit te zgjoje, te permende ata qe nuk degjojne...


Ju uroj suksese
Me respekt
Kristaq Turtulli

 

 

__________________________________________________


www.pogradec.info - Guida e Pogradecit ne Internet. Informacion i plote mbi Pogradecin, Hotelet ne Pogradec, Akomodimi ne Pogradec, transporti ne pogradec, arti dhe kultura e Pogradecit. Shkrimtaret e pogradecit, proza, poezia. Istref Haxhillari, shkrimtar.

Raiffeisen Bank Pogradec Albania
ProCredit Bank Pogradec Albania
Mobilje Italiane
 
 
All rights reserved Pogradec.info-2006©
All rights reserved Pogradec.info-2006©