- Për Novelën “ Ëndrrat kryqëzojnë kohën ”
Hapësira kryqëzon ëndrrat…
“Ëndrrat kryqëzojnë kohën” është një poemë e thënë me gojën (apo, më saktë: bojën) e prozës, por edhe e anasjellta, nga njëra prej hapësirave më të pasura e befasuese të letërsisë shqipe, Pogradeci. Mund të lexohet edhe si një rizbërthim i shtjellës dhe mënyrave me të cilat ëndrra (e kundërta e së përditshmes, por jo krejt kumt i së përhershmes) kryqëzojnë pjesë të caktuara të kohës në qënien njerëzore, duke u rrekur ta ngrejnë atë qënie në lartësi, të cilat ajo i shmang, ose i largon për shkak të forcës së zakonit. Përndryshe, - dhe kjo është mëdyshja e ankthshme, - koha nuk e ka për gjë t'i kryqëzojë ëndrrat, t'i sheshojë, t'ua shkulë thelbin e ndritshëm sikur të ishte një dhëmballë, dhe ta mbajë jetën ndrydhur në vathën e mediokritetit, aty ku s'ka lartësi, por ka mjaft siguri.
Shndërrimet e thella që pësoi Lindja gjatë dy dhjetëvjetshave të mbramë u pasqyruan dukshëm në qeniet që popullojnë këto treva.. Koha mori tjetër kah, teksa drama e njëmendtë ndodhi me hapësirën, e cila u zgjerua tejmase, përtej ëndrrës së qenieve për hapje e liri, dhe vuri në sprovë vetë sistemin e shenjave. Shpërbërja e tij i detyroi qeniet e hapësirës (jug)lindore të sajonin një sistem të ri, ta pranonin e madje ta këqyrnin si të vetmin, ndonëse ky ishte i rremë, ngushëllues dhe vetëm sa për të pakësuar vuajtjet. Prej këtej edhe një vargan i koklavitur trandjesh shpirtërore, familjare, fisnore, apo edhe kombëtare. Shndërrimet u priten me ofshama gazmendi nga ata që janë më fort shkrushtarë, se sa shkrimtarë.. Trandjet u trajtuan me aq ethe të çuditshme, në emër të progresit global, saqë u la mënjanë fati vetjak i njeriut, dhembjet që forcojnë shpirtin, muret e shembur me kokë, kokat e shtypura me mure etj, pakashumë siç trumbetoi soc-realizmi.
Një grup i vogël autorësh, ku bën pjesë edhe Istref Haxhillari, vijuan pa bujë ta mbajnë në ashtin e librave të tyre njeriun pa emër, anëtarin e anashkaluar të bashkësisë, por që është lindur për të pasur një fat sadopak të ndryshëm nga të tjerët. Po sa mundësi u fal të tillëve një shoqëri ku shenjat ende nuk kanë rënë në ujdi me hapësirën?
“Ëndrrat kryqëzojnë kohën” risjell një mit të hershëm të letrave, me degëzime të shumta edhe në ato shqiptare. Dashuritë e mëdha, të rralla, cilësuar si të parrëfyeshme, shpesh me shikim të parë, në qytete të vogla, ku asnjëherë nuk mungon një oaz i mbrojtur, por jo edhe nga gojët e liga, nga kurreshtja e sëmurë e njerëzve që nuk dashurojnë më kaherë, që kanë drithëruar nën ndjenja të turbullta të prira nga librat, filmat, rrëfimet e të tjerëve, ose që nuk kanë dashuruar kurrë… Dashuritë e mëdha si arratisje, shpëtime qoftë edhe kalimtare nga rutina, rigjetje e vetvetes në kushte krejt të mbrapshta, etj. E meqë letërsia e vërtetë i përfshin në vete të gjitha hapësirat e mundshme pa cënuar shenjësinë, përfundimi ështe se kur dashurisë së madhe i mjafton një folezë, ajo s'ka si të mungojë as në qytetet e mëdhenj.
Mirëpo sa e madhe, e papërsëritshme, është dashuria e Anidës dhe Eordeit (protagonistët plot dritëhije dhe me emra si passëord-e të rrëfimit)? Në mjaft pika ajo i ngjan si ndonjë motër e sertë jetës së qytezës bregdetare, pra: më fort synon, hepohet, etet, përpëlitet që të dalë nga plogështia, shkel mbi rregulla e kanune, duke mbajtur në qendër të vëmendjes, në fund të fundit, një ëndërr krejt të natyrshme: jetesën bashkë, dy kurme-një shpirt, lindjen e fëmijëve, plakjen në paqe. Prandaj ëndrrat kryqëzojnë kohën (në kuptimin: çlirohen prej dhe falë saj) dhe kryqëzohen nga hapësira (mposhten tragjikisht nga rregullat e bashkësisë). Qysh në fillim, kjo dashuri duket e ndëshkuar. Foleza ku merr frymë dashuria ka në vend të shtatores një varr nga ku ngrihet heraherës lugate një femër, ose pendesat e pathëna femërore; ka disa pisha të nëmura; ka një zhgan me sy e veshë e pengje e mllefe e zilira që enden vagëllimthi përreth e duket sikur duhet medoemos të mbijetojnë duke rrënuar të dashuruarit, pa përmendur katër foshnja të dështuara nga Anida qysh pas njohjes me Eordein… Foshnja e pestë e detyron këtë të fundit të shkatërrojë pa faj, - ose me të vetmin faj që nuk është a nuk bëhet dot tjetërkush, - bashkëshorten, Helenën, që na jepet si mishërim i gruas ideale, (lexo: monotone përmes sigurisë se mbetet pó ajo), të lerë jetime me babën gjallë vajzën pesëvjeçe, Erën, (në njëfarë mënyre, metaforikisht, e braktis në mëshirë të erës), dhe të largohet gati mendjeçartur nga një modus vivendi drejt dashurisë me Anidën, e cila, duhet thënë, i ka të gjitha shanset të shndërrohet, me kalimin e kohës, në një Helenë tjetër. Eordei arratiset nga jeta që bënte për sy të botës, të themi, dhe ngujohet në jetën për gojët e botës. Ai mbetet sërish i dyzuar dhe gjithaq mizor e viktimë, fajtor dhe i pafajshëm, blatuar Shpirtit dhe rob i ëndrrave për një rini të pambaruar, jetëgjatësinë e së cilës e mëkon duke këmbyer femrat që (në fillim) i dashuron i tëri, me përkushtim. Përtej rreshtave të rrëfimit, vërehet e ngjizur vetë kredoja e autorit, shprehur qartë në shtyp:
“Jeta ime është fare e thjeshtë për cilindo, dhe tmerrësisht e komplikuar për mua. Krijimtaria ime është një krisje e shpirtit të hepuar nëpër mote. Në kuptim metaforik, njeriu i përngjet lisit, rrënjët e të cilit janë e shkuara, trungu - e sotmja dhe lastarët - e ardhmja. Ndër tre komponentët, rrënjët e padukshme, kohësia e kurrënjohur plotësisht, përjetohet tej përmasave reale zmadhuar e shformuar, pasqyrim konveks i tyre. Rrënjët e padukshme jetësojnë të sotmen dhe përimtojnë të ardhmen, mbushin me lëngun limfatik duknajën dhe fantazinë, vërtetësoren dhe imazhet prej të cilave më ka buisur shpirti qysh në rininë e hershme. Kujtesa e mbingarkuar prej gjithfarë fiksionesh nduk dhe kurdis mekanizmin e pakuptuar të nënvetëdijes, prej nga ndihem çuditërisht i ngacmuar dhe i shqetësuar”.
Rrëfimi është shkruar pastër, hijshëm, me një çiltërsi që del natyrshëm përtej kufijve frymëzënës të klisheve. “Ëndrrat kryqëzojnë kohën” e josh lexuesin me një fuqi të veçantë jo vetëm falë gjuhës së pasur, mjeshtërisë me të cilën mban baraspeshën mes kundërthënieve dhe pyetjeve pa përgjigje, por edhe ngaqë fanitet si copëzë e një rrëfimi më të gjatë, i cili mund të jetë krejt pjesa tjetër e jetës në një kontinent që i ngjan gjithnjë e më haptas një grumbulli ishujsh të vranët, të ndarë mesveti, të përgjumur ndaj së ardhmes, por plot vigjilencë vrastare ndaj së tashmes e së shkuarës. Ishuj, të cilët i mban bashkuar verbimi i shkallëzuar i shpirtrave, theshethemi, ashpërsia shurdhmemece e mendjeve dhe zemrave të ngushtuara. Mbyllja e rrëfimit përçon një ndjenjë asgjësimi e kotësie që fshin çdo dallim mes të jetuarit në dashuri dhe të vdekurit në mungesë të saj.
Dr. Ardian Kyçyku
Bukuresht shtator 2009
__________________________________________________
www.pogradec.info - Guida e Pogradecit ne Internet. Informacion i plote mbi Pogradecin, Hotelet ne Pogradec, Akomodimi ne Pogradec, transporti ne pogradec, arti dhe kultura e Pogradecit. Shkrimtaret e pogradecit, proza, poezia. Istref Haxhillari, shkrimtar.
|
|