Shqip Pogradec Albania - Yours to Discover
Home
Arti & Kultura
English
 

Permbajtja
BOTIME
TROFETE

 


Istref Haxhillari - Shkrimtar

“Hapësirat rrallohen prej dhimbjes”:

Pasazhi i parë:

Legjendat, gojëdhënat, mitet janë çudi e pakuptuar në përmasa të mjaftueshme. Ato mbeten gjithsaherë madhështi, fshehtësirë, habi, dalldi e pamasë shtysë energjie të shteruar për arsyen njerëzore, kanë ngacmuar dijetarët, estetët, piktorët, krejt shpirtrat e ndjeshëm të planetit përgjatë kohës së shkuar.

A nuk u ngrit vepra e përjetshme e Homerit mbi legjendat e lashtësisë?

Një komb, popull apo bashkësi më e vogël, pa legjenda përjeton venitjen e historisë cunguar në thelbin e saj, pa tharm krijues, bukurinë e së shkuarës dhe të sotmes, është mjeran pa cak. Gjindja rrënjëzgrip ngjason me pemën anemike që nuk ushqen mjaftueshëm trungun, as jep produkte të shëndetshme.

Vini re vendin ku jetojmë. Nëpër mugëtirën e lashtësisë gjallojnë legjenda të hijshme, që flasin pa pushim. Me gjuhë simbolesh të mundimshme nxitin fantazinë. Kadmi dhe Harmonia, zefillja e historisë së kësaj copëz dheu me bukuri të pashoqe, mbushën me jetë, mish e gjak liqenin e magjishëm plot hir, përreth të cilit gdhendën pastaj çudira të tjera pa fund.

Parë nga lart treva jonë ngjason me govatë, vegëlz e thjeshtë me vjetërsi marramendëse, shërbesë e kahershme e njeriut.

Në veri hijeshon Qafa e Thanës, vendi i orakujve të lashtë që parathoshin fatin e njerëzve, betejave, kapedanëve të mëdhenj. Në të shkuarën e thinjur Orakulli më në zë i këtij trualli, i parë përmbi të tjerët, pati kthyer mbrapsht hordhi pushtuese gjithfarësh që mësynin begatitë tona. Në se nuk ktheheshin me fjalën hyjnore apo nuk i besonin plotësisht atij, përparonin me fuqi të prera, pa kurajën e fillimit, u mpihej guximi zemërak dhe ndehej pezull trimëria. Ja kështu, nëpër shekuj e mijëvjeçarë e mbrojti Qafa e Thanës ( apo e së thënës ) këtë ngastrën tonë të çmuar. Tani si përherë i rri nënkresë, e mbron sa mundet nga erërat e ftohta të veriut që vardisen të shkërmoqin mbjelljet apo shkolisin lulet e porsaçelura të pemëve në të këmbyer të stinëve, diku ndaj fillimprilli.

Kodra vëngëroshe sikur ndan prerazi dy kultura të ndryshme, ndonëse të përafërta. Veriorët përmatanë, ndihen disi poshtë atyre më këtë anë, i marrin jugorët model kulture, zakonesh, të foluri dhe më së shumti përpiqen t'u ngjasojnë.

Nastradini, esenca e mençurisë popullore, gënjeu e përqeshi sa mundi gjersa kapërceu Qafën e Thanës, ku ndeshi atë vendasin e panjohur ( kaq thotë legjenda hokatare ), të cilin e pyeti për ta vënë në lojë sipas sjelljes së tij shpotitëse prej karagjozi:

- Kur kryeni nevojën me se e fshini ju të kësaj ane?

- Zotrote mbaro pa të sjell unë atë që kërkon, - u përgjigj jugori anonim.

Pasi kreu miku gazmor atë punën e pështirë që nuk e shmangim dot i dha një tufë me hithra djegëse të reja. Prapa qoshes fsheharake zhurmuan klithmat e lektisura të Nastradinit, pastaj sharja e famshme: “ Qafa e Thanës p…..”. U kthye nga erdhi e s'u duk më, se këtej ishin të gjithë hokatarë kur e donte radha e vendi.

Në jug Plloça, kodra levarashe derdhur butësisht përmbi faqe të dheut, nuk e le govatën të rrëshqasë më tej se derdhet uji, shpërndahet teposhtë gjer në Korçë dhe bën dy prishje bashkë, përmbyt fushën e than liqerin jetëdhënës.

Në lindje Mali i Thatë hijerëndë, pa një fije floku mbi kokën tullace, shtrihet gjatë e gjerë, sa të ha syri nga jugu në veri. Aty nga mesi i tetorit ve takijen e bardhë që e mban të shumtën e kohës gjer në maj e më këtej. Si ngrohet vetë njëfarësoj, nis ato erërat e ftohta që kallkanosin tërë vendin përreth, hyjnë kudo nëpër strehë dhe i bëjnë njerëzit e tërë gjallesat të dridhen si purtekë, teksa ngrihet thikë përmbi gjol, lartohet e lartohet sikur kërkon të zaptojë retë e robërojë qiellin.

Rrëzë tij frushullojnë shpella pa fund, katakombe të frikshëm zemërakë, qëmoti vend kaçakësh e strehë hallexhinjsh. Aty fshiheshin nëpër kohë guximtarët që përballnin të huajin, aty ngrinte limeret Bendo Shapërdani i Peshkëpisë, krahu i armatosur i Sulit të Starovës. Në përleshje me osmanlinjtë trimat e peshkëpiarit gjysmonin ushtarët e përlargët që pandehnin se komitët buisnin prej dherit ku nuk e prisnin kurrë se mund të gjallonin njerëz. Edhe të liqtë i fshihte Mali i Thatë në barkun e stërmadh dhe nuk tregonte kurrë labirintin spërdredhur thellësive ku lektiseshin gërmuqur, të frikuar prej dorës gjakmarrëse.

Në perëndim malet e përthyer të Mokrës, gjelbëroshë e të pashëm si rrallëkund, banuar që në krye të herës, kanë habitur gjithnjë të huajt me thesaret pafund, ku asgjë nuk mungon. Ti vizatove mjeshtërisht hiret e Shkumbinit, Valamarën, liqenet e Lukovës dhe gjelbërimin që mbyt vendin në pranverë.

Mua më ka bërë përshtypje veçan maja e Gjembthit dimrit mbuluar nga dëbora kur ngjason së largu me qeleshet që kanë mbajtur mokrarët në të shkuarën e gjer vonë. Si duket, kur vendosën të mbajnë kapelë, e vranë mendjen gjatë ç'formë t'i japin, që t'i mbante ngrohtë në dimër dhe të terte djersën verës kur rraskapiteshin nga punët e mundimshme. Ama t'u jepte pamje të hijshme, t'u qëndronte mirë në kokë e të mos rrëzohej kur përkuleshin për të korrur apo prashitur.

Si u menduan ca, ( jo shumë ) vështruan përqark dhe sytë lektisën te ajo takija e Gjembthit e bardhë hijeshumë, rrëzuar gjer poshtë përmbi vetullën e malit çapkën. Kapë më e bukur nuk gjendet pëshpëritën njëzëri dhe ashtu vendosën. Për t'i thurur nuk e patën vështirë e nuk u menduan dy herë se lesh deleje të butë kishin me shumicë, kurse dërstilat përgjatë Shkumbinit qenë radhë - radhë.

Kështu u përshfaq takija mokrare spikatur ndër gjithë kapat endur qëmoti, apo stisur gjithfarësh sot e kësaj dite. Dallgëzimi i kapës përmbi leshra shpaloste karakterin e burrit, shpirtin e tij. Djemtë meraklinj e mbanin përmbi sy, njërën vetull gjysmë zbuluar, sikur u bënin isharet çupave tek vështronin tinës, nënqeshnin nëpër buzë dhe iknin nxituar në punë të tyre me shpirtin plot nga nojma çapkëne. Burrat e inatosur e rrasnin thellë në kokë, kurse të lodhur pa fuqi shquheshin së largu nga kapa shembur prapa kokës.

Habia më e madhe, si rrallë ndodh në të tjera vise, janë përthyerjet e çuditshme, shumëllojshme të pafundme në kaq pak vend.

Liqeri i dystë ndërron ngjyrë sa hap e mbyll sytë, merr të gjitha nuancat e kaltërsisë brenda pak çastesh. Tani shquan të kaltrën e hapur, pas pak një kaltërsi tjetër të errët, fill më tej blu e thellë e kështu pambarim. Erërat që fryjnë gjithnjë në drejtime të kryqëzuara, rrymat nënujore shtrirë përgjatë tij si rrënjë të ngatërruara rrapi, përthithin dritën në trajtë ylberi, përziejnë ngjyrat dhe i trazojnë si piktorët, prandaj sipërfaqja e tij ngjason me sytë e lëngëzuar ngjyrosur në bojëqielli të grave sensuale .

Përmbi sipërfaqen e sheshtë të ujit ngrihet thikë Mali i Thatë me guvat e frikshme. Afër e afër hiret e liqerit me shëmtinë e malit, lëndina e ujshme sqimatare me gremisjen e kreshpëruar, dy të kundërta ngjitur si nuk ndodh shpesh. Substancat jetësore të natyrës formësuar në trajta mospajtuese përballë njëra - tjetrës detyrohen mizorisht të qëndrojnë afërëvendosur në kundërshti të përjetshme.

E bukura shpaloset me larmi formash, bashkëjetesë stilesh formësimi. Si për të vërtetuar këtë parim rrezëllitës të eseistikës shpaloset në tjetër pamje shtrirja perëndimore e govatës ku kodrat dhe malet e Mokrës lartohen ngadalë, thyhen butësisht dhe duket hapur se me zor të madh i largohen hijeshisë së liqerit ëmbëlak.

Fusha e Starovës, pjellore si gratë që lindin motmot fëmijë të pashëm e të shëndetshëm, jep në një copëz hapësire gjithfarë drithëra, fruta e perime, që çuditërisht dallojnë nga njëri cep në tjetrin.

Qepët e famshme të Tushemishtit nuk i arrin as Zagorçani pothuaj ngjitur, gështenjat e Zërvaskës të ëmbla plot shije s'kanë të krahasuar me ato të Pogradecit pak më tej. Në kalanë e qytetit piqet rrushi ëmbëlak, erëmirë që jep verën e famshme si në asnjë pjesë tjetër të fushës e më tej në vijimësi. Nuk di ndonjë vend tjetër me syprinë të vogëlz fare por përthyerje pafund, që kaq dukshëm ndryshojnë nga një qoshe në tjetrën.

Vërtet një trill i mbrapshtë nxirosur nuk deshi për shumë kohë të bulëzojnë produktet në vendin tonë e përkëtej, po e liga perëndoi dhe hiret e dheut po derdhen e harlisen si qëmoti. Gështenjat riveshin kodrat e buta përreth fushës, mollët po lulëzojnë si dikur dhe kalaja përmbi Katjelin e ngurtësuar kushedi qëkur, po rivishet me pjergulla të hijshme.

Përthyerja e vendit pasqyrohet besnikërisht në karakteret njerëzore, të larme gjithfarëlloj.

Krijimi përsëdytet, njëherë për plazmimin e lëndës inerte pa shpirt dhe tjetrën në ngjizjen e lëndës jetësore ndër qeniet e gjalla. Tushemishtarët punëtorë e kokulur jetojnë vetëm një kilometër përtej vërdovarëve trima e të sertë dhe po aq larg mëmëlishtarëve qejflinj që nuk u hahet shumë puna. Linakët e urtë dhënë tepër pas përçapjeve jetësore të llojllojshme, veçan blegtorisë së shtuar, nuk përkujdesen fort për pamje e veshje sqimatarësh, ndërsa përtej udënishtarët qibarë s'para durojnë njeri mbi kokë.

Larmitë e kudogjendura në njerëz apo dheun e begatë, fare afër për ato kundërshti të pabesueshme, i japin vendit bukuri përrallore në kufijtë e legjendave. Hiret plot nur grumbullohen mot pas moti, shumohen në trajtë eteri, lëndë inkandeshente e padukshme për shpirtin e zakontë, derisa godasin të përzgjedhurit e Zotit, të cilët i bëjnë ujem, i pështjellin me majën e gjërit pastaj u përhedhin magjinë e së bukurës.

A nuk është Lasgushi përzgjedhja e kësaj magjie hojëzuar dora - dorës, ndoshta përgjatë një shekulli para tij? A mund të dyshohet se vjershërimi lasgushian është përimtim nuresh mbledhur prej një kohe fort të gjatë?

Lasgushi ngriti përmendoren e lavdisë së pavdekur shtatëdhjetë vjet më parë, ashtu si edhe themeluesi i prozës moderne shqipe, Mitrush Kuteli, të dy bij të kësaj treve plot hijeshi. Copëza e dheut tonë pasi u ngjiz për një kohë të gjatë i dha vendit e më përtej figura të papërsëritshme. Në treçerek shekulli mbeten maja të larta që do të adhurohen shumë gjatë nëpër motmotshmërinë e thinjur.

Nuk i shmangem dot ngasjes të cek farë zgrip në trajtë joshteruese një dukuri, sa të çuditshme aq edhe të dëmshme e të panevojshme.

Kujtesa është zahireja e shpirtit dhe mbetet e tillë për aq kohë sa ruan përmasa logjike apo sensin e masës, përndryshe kthehet në të kundërtën e vet. Kujtesa e munguar e dy figurave të mëdha të kulturës pogradecare për disa dhjetëvjeçarë qe e dhimbshme, shpërfillja skajore e turpshme, diçka përtej dhunës.

Njëlloj kujtesa e shpërdoruar në dekadat e fundit tingëllon në të njëjtën trajtë të përçudnuar me imtësi, shpesh groteske. Është kthyer në standard një tiradë me të cilën fillojnë folësit nëpër ekspozita, paraqitje librash apo veprimtari të këtij lloji: “ Në qytetin e Lasgushit e Mitrushit…” Krejt normale se korifenjtë e letrave këtu janë në sinorin e tyre, brenda artit që i dhanë shumë dhe meritojnë shumë.

Jehonë e vagëlluar e kësaj tingëllime plot dinjitet edhe kur përurohen rrugë, ujësjellës apo lulishte, politikanë dhe folës të tjerë ardhur nga larg na kujtojnë se gjenden në qytetin e Lasgushit e Mitrushit, shpesh me shprehje dijetari që kumtojnë të vërteta të thella të cilat sapo qenkan zbuluar dhe ne vendasit e gjorë nuk e dimë. Kujtojnë se ky refren është e vetmja ndjesi që hyn në shpirtin e njerëzve, e mjaftueshme për të siguruar simpati.

Jam i sigurt se shpërdorime të tilla jo vetëm nuk bëjnë përshtypje, por lënë shijen e hidhur të humorit banal, krejt pa vend. Të kujtojnë kohën servile të pështirë kur përuroheshin edhe stallat e bagëtive me motivacionin uniform:“ Nën udhëheqjen e… ”. Si duket njerëzit janë të prirur të lënë pas gjithçka po jo traditën, mënyrën e të menduarit me të cilën janë familjarizuar prej një kohe të gjatë, formulën e vjetruar të përthithjes dhe jetësimit të dukjes njerëzore.

“ Jepini Cezarit atë që është e Cezarit! ”; përqasja më vlerësuese për të çmuar e nderuar pasurinë kulturore të gjigandëve të artit pogradecar.

Lisat e mëdhenj e kanë hijen e gjatë ndaj përreth tyre është ca e vështirë të mbijnë e rriten shëndetshëm të tjerë. Mirëpo treçerek shekulli përkëtej ngjizja e pjalmit vazhdon, tharmi grumbullohet sërish dhe domosdo godet të tjerë krijues të talentuar që ngrihen mbi bashkëvendësit dhe flasin me zërin drithërues të artit të vërtetë. A mos është rastësor brezi vezullues i piktorëve pogradecarë nga më të vjetrit dhe pastaj të rinjtë, veçuar për mëvetësi ngjyrash e stili në galeritë kombëtare e ato jashtë vendit? A mos është e pashkak poezia e fisme në ditët tona, përkthyer dhe çmuar në disa gjuhë që ka lartësuar lirizmin shqip nëpër botë?

Jo! Sigurisht jo!

Tharmi i habitshëm e i pakuptuar i natyrës së kësaj mënge të dheut ka ngjizur e do të vazhdojë pjalmëzimin mrekulli pas mrekullie, ligjësi e pandryshuar e së bukurës, estetikës, thesar kulture që ka nevojë të çmohet sot e jo t'u mbartet brezave të ardhshëm dhjetar vite pas vdekjes si mallkim gjymtues. Shpërfillja e vlerave të spikatura, mëkat i përsëritur tashmë pa arsye qenësore, është i pafalshëm.

 

Pasazhi i dytë:

Kujtesa ka veti përzgjedhëse, fikson e ngulit sjellje, veprime, ngjarje të holla përshtypjelënëse që e tronditin dhe shpërfill të tjera që nuk lenë vragë, të dorës së dytë apo të rastit. Dukuri të pakuptuara për arsye kohëtare, ngacmuese tejgjatë të palarguara asnjë çast, njeriu përpiqej t'i kthjellojë dhe shkoqisë si mundet.

Në përpjesëtim me kufijtë e njohjes dhe perceptimeve të kahershme, dritësimi i ndodhive tejet të dhimbshme mbresëlënëse ishte larg së vërtetës, po brenda përjetimeve njerëzore. Në këtë trajtë u mbartën nga njëri brez në tjetrin, ngjallën habi, gëzim, mburrje apo mosbesim, nënqeshje shpërfillëse për zgripin e shpalosjes së tyre nga interpretues të lashtësisë. Shpesh quhen përralla, gënjeshtra që nuk mund t'i pranojë njeriu i kulturuar, ndaj arkivohen në lëmin e trashëgimisë së panevojshme.

Po si ta shpjegojmë jehonën e pambaruar, tingëllimën shekullkapërcyese, trokitjen në kujtesën njerëzore gati përjetësisht? Janë e pazakonta, e lemerishmja, e frikshmja e legjendës që udhëtojnë gjatë dhe përimtohen sot njëlloj si dikur, pavarësisht nga meditimet. Dijetarë si Fromm kanë kapur të padukshmen, nënthënien, kanë lexuar kumtin që legjendat duan të përcjellin mundimshëm me gjuhë totemesh të pazëshme, por kumbuese përgjatë qindra e mijëra vitesh.

Breza të tërë prej fisit të lashtë Gjyli në Debrovë mbetën dy shtëpi, nuk shtoheshin e shumoheshin si të tjerë. Burra me emër në fshat e më përtej pati gjithnjë fisi i nderuar, nga ata që u shkonte fjala dhe i pyesnin për halle të trupit e shpirtit nga ana e anës. Gra shijeholla e të hirshme, që nderuan sojin po edhe fshatin kudo ku u martuan, patën nxjerrë në mote Gjylët. Atje bënë nga një tufë fëmijë të bukur e të fortë, djem pa hesap dhe çupa si dritë. Gjakun e kishin nga soji i tyre, po qenë tjetër derë e tjetër fis.

Burrat e ndjenin më shumë dhimbjen kur plakeshin dhe vdekja u rrinte mbi kokë. Sikur më tej të mos lindej djalë, emri Gjyli do të shuhej si të mos kishte qenë kurrë, mbi truallin e shtëpive do të mbinte bari dhe këndonte kukuvajka. Më zi se kaq nuk mund të përfytyrohej. Ç'të ishte ky mallkim lemerisës pa fund? Ç'mëkat apo shpagë përmbushi kushedi cili nga paraardhësit e lashtë? Nëma ishte e të mirit apo të ligut?

Pyetjeve të dhimbshme, përvëluese nuk u dhanë përgjigje për shumë kohë derisa më i mençuri kohëtar i fisit e përtypi hollë gjëmën e pazakontë. Mallkuesi s'mund të ishte i drejti se nëma e tij nuk zgjatet pambarim. Domosdo qe i ligu, më gjuhëhelmi nga të gjithë; atëherë pashmangësisht oguri i zi vinte prej Sprijës, se më zi nuk kishte tjetër. Gjyli i vjetër do t'i ketë bërë dëm të madh, ndoshta e ka vrarë dhe ajo në grahmat e fundit ka mallkuar. Kështu u krijua legjenda e Debrovës si përgjigje apo shpjegim për një hall shumë të rëndë, më i rëndë nga çdo hall që mund të përfytyrojë njeriu.

Në Mesgur ishte rruga e vetme për njerëzit, që kapërcenin Shkumbinin dhe bluanin bereqet ose shkëmbenin perime, myshk, lëkurë apo shajak me ata përmatanë lumit. Në kohën e Gjylit ku zë fill mallkimi, u shfaq Sprija dhe zaptoi shtegun e kahershëm. Asnjë gjallesë nuk kalonte lumin se e përpinte mostra e llahtarshme që ushqehej më gjak njeriu dhe gjak kafshësh. Mjerimi gjëmëmadh mbuloi vendin, vuajtjet nuk kishin të sosur. Bereqeti bëhej po nuk e bluanin dot, kripë nuk gjenin asgjëkund më këtë anë lumi. Bëhet gjë pa kripë? Jo vetëm nuk jetojnë të gjallët, po nuk plazmohet e ardhmja, ndaj rralluan lindjet ndër gra dhe pjelljet e gjësë së gjallë.

U mblodhën burrat ta pleqërojnë hatanë e zezë. Pas shumë përpëlitjesh, herë me zë të ulët e herë të lartë, kush me të butë e kush egërsisht, vendosën të vrisnin përbindëshin mizor, barrë tejet e vështirë se Sprija dinake, fuqishumë përlante lehtësisht cilindo. Pastaj nuk ishte njeri po qenie e ngatërruar e frikshme si punë gjarpri mbuluar me lesh bojëhiri të pështirë. Tallej me këdo që afrohej në Mesgur, dhjetë pash që andej nuk bariste gjë e gjallë, as bari nuk mbinte. Të gjithë hodhën sytë nga Gjyli levend e kokëkrisur, që mori përsipër të shpëtonte fshatin nga e keqja stërmadhe, e padëgjuar.

- Çfarë kërkon për këtë punë? - e pyetën.

- Nallbani të mbathë kalin më gozhdë dy pont përmbi patkonj, - u përgjigj guximtari ngrysur.

- Nuk ke frikë? - pyeti njëri me druajte, pa takt.

- Bëni atë që kërkova! - nuk e zgjati ky.

Ditën e caktuar, Gjyli hipur mbi kalin azgan që i bindej të zotit vetëm me shenja, u afrua në Mesgur. Sprija doli nga uji e gëzuar për gjahun që i çatisi në shteg.

- Mbërrite në kohë or mik, kam dy ditë pa ngrënë, - iu drejtua djalit.

Ai nuk bëri zë, po përqendruar vetëm në një pikë vendosmërisht u lëshua vërtik me shpatën ndehur përpara. Sprija qeshi dhe u hodh t'i merrte armën e mprehtë pa përfillur kalin, i cili me një nojmë të çallëstiarit nguli gozhdët në trupin e përbindëshit. Lubia ulëriu me zë të çjerrë nga dhimbja dhe deshi të largohej, po kali u rrotullua disa herë, gjersa leshi i gjatë u përdrodh rreth këmbëve. Mbi trupin e zënë mjeshtërisht në lak u futën disa herë gozhdët e kalit dhe këllëçi i burrit. Në grahmat e fundit gjakpirësja deshi të dinte emrin e hasmit dhe si e mori vesh mallkoi:

- Në sojin e Gjylit mos u varshin kurrë më shumë se dy armë.

Që atëherë e deri vonë fisi i shquar i Debrovës mbeti me dy familje, kurrë nuk u bënë tri a më shumë.

Kështu shkoqiti plaku i moçëm dhimbjen e sojit, pastaj ia tha të birit vetmitar dhe iku lehtësuar nga kjo botë. Legjenda udhëtoi gjatë. Ata që erdhën më pas nuk u përpoqën të përballnin fatin se tani e dinin pse mbeten gjithnjë vetëm dy familje. Legjenda ndriçonte një dhimbje tejet të madhe, përmbi çdo lëngatë të trupit e shpirtit, ndaj brezat që erdhën admiruan aktin e trimit të Gjylëve motmotin e largët. Pasardhësit mburreshin me stërgjyshin guximtar dhe fshati shenjtëroi emrin e tij përmes legjendës. Më këtej askush nuk u përpoq se nuk mund të gjente shpjegim tjetër, as sot e kësaj dite.

 

 

__________________________________________________


www.pogradec.info - Guida e Pogradecit ne Internet. Informacion i plote mbi Pogradecin, Hotelet ne Pogradec, Akomodimi ne Pogradec, transporti ne pogradec, arti dhe kultura e Pogradecit. Shkrimtaret e pogradecit, proza, poezia. Istref Haxhillari, shkrimtar.

Raiffeisen Bank Pogradec Albania
ProCredit Bank Pogradec Albania
Mobilje Italiane
 
 
All rights reserved Pogradec.info-2006©
All rights reserved Pogradec.info-2006©