Shqip Pogradec Albania - Yours to Discover
Home
Arti & Kultura
English
 

Permbajtja
BOTIME
TROFETE

 


Istref Haxhillari - Shkrimtar

Nga eseja Perthyerje - Istref Haxhillari

 

Penelata në histori

( ese )

Nuk ka asnjë grimë të historisë së kombit tonë ku Mokra, krahina e rëndë në juglindje të Shqipërisë, të mos ketë qenë, në mos protagoniste, aktore me role të ndryshme sipas rastit. Nga burimet e shkruara arkivore, për aq sa jemi në dijeni, Mokra përmendet për herë të parë në shekullin e XI në një letër, ku perandori Justinian i dytë i Bizantit i dërgonte në vitin 1019 kryepeshkopit të Ohrit, Johanit, në të cilën përmend një krahinë të populluar me shumë mullinj (mokra). Aty kërkohet “ të mbetet në merak të madh ” ky vend i pasur, sidomos për rrugën, rrahur prej karvanesh të shumta që udhëtonin nga perëndimi në lindje dhe anasjelltas.

Po të shtyhemi më tutje historisë, në luftën e dytë iliro -romake, këta të fundit hynë në Iliri dhe depërtuan thellë gjer në Rumani, vend të cilit i dhanë emrin Romani apo Roma e vogël. Historia thotë se mbi 100.000 kolonë romanë u ngulën në vendet më strategjike të kontinentit përgjatë rrugëve të karvaneve. Në këtë kohë, sipas një hipoteze mjaft të besueshme, janë vendosur arumunët në Llëngë e Niçë të Mokrës për t'u shtyrë pastaj më tej në Voskopojë e gjer në zemër të orientit, fushat e begata të Vllahisë. Pas rreth njëqind vjet pushtimi, mbretëreshë Teuta i përzuri romakët matanë Adriatikut, por kolonët mbetën, u intergruan me vendasit atje ku u qëlloi, duke ruajtur për çudi mbi 2000 vjet kulturën, gjuhën dhe zakonet. Në Mokër, përgjatë një degëzimi të rrugës Egnatia, Llënga lulëzoi për shumë kohë. Edhe sot qarkullon gojëdhëna se fshati kishte përmbi njëmijë shtëpi, ndërtuar ngjitur me njëra – tjetrën, aq sa kaprojtë shkonin çati më çati më për katër km rrjesht.

Në shekullin e XV Barleti e përmend Mokrën, Mokreu siç i thotë ai, si një krahinë të madhe që shtrihej përtej kufijve të sotëm, duke përfshirë fushën e Domosdovës, Përrenjasin e sotëm, deri në vendin që quhet Sofra e Skënderbeut. Kronisti i famshëm thotë se mokrarët ishin burra të besës, shumë trima, të shpejtë si vetëtima dhe nishanxhinj të mëdhenj. Ndoshta nuk është fare e rastit që beteja e parë e Skënderbeut me turqit u bë pikërisht në fushën e Domosdovës dhe të parët që u gjakosën me pushtuesit otomanë ishin mokrarët. Krahina ishte nën zotërimin e Gjergj Arianitit, apo Gjorg Golemit siç e quanin mokrarët. Me një thirrje të zotit të tyre ata mblidheshin tufa - tufa, të armatosur më së miri dhe me këngë në gojë shkonin në luftë ku dalloheshin mbi të tjerët. Barleti thotë se në gjallje të Gjergj Arianitit, turqit nuk hynë asnjëherë në Mokër se ishte vend me shumë male e shkëmbinj, por sidomos se në çdo shteg kishte një burrë që ruante natë e ditë vendin nëpër rrugët kryesore. Gjer vonë në fshatrat e Mokrës këndohej kënga që përjetëson motet e lavdishme:

 

“Gjorg Golemi na çoi fjalë,

Angjelini te me dale

Me ata trima mokrarë

Kush më këmbë e kush me kalë

Të marrë rrugën përpjetë

Të dalë te gurët e gjetë”.

 

Angjelini ishte kapedan besnik i Gjergj Arianitit.

Nuk kemi të dhëna të shkruara për shekujt e parë të pushtimit osman në Mokër, por nga tradita gojore që kalonte nga brezi në brez e rrëfehej sidomos në netët e gjata të dimrit për mburrje dhe krenari, mësojmë se në kohën e Ali Pashë Tepelenës një burrë nga Pleshishti, Naum Shyta, u bë mik i Vezirit. E ndihmonte atë me mjeshtër të shquar muratorë për ndërtimin e kalave ose meremetimin e tyre. Naum Shyta i doli në mbrojtje popullit fukara kundër disa prej bejlerëve dhe agallarëve turkoshakë që bënin në Mokër dovanë e Dovletit. Sa qe gjallë Naumi nuk bënë gëk turkoshakët se i pinte e zeza. Thonë se ai kishte në plan të ndërtonte një treg për tërë zonën, po nuk arriti ta përfundonte.

Rrëfejnë se kur erdhi Ali Pashai në Pleshisht dhe deshi të zbatonte atë zakonin e tij të keq (për çdo fshat të zhvirgjëronte një vashëz), e shoqja e Naumit i tregoi me lezet të madh se në Mokër nuk mund ta bënte, duke i nxjerrë për të ngrënë gjashtë pjata fasule njërën pas tjetrës. Kështu e shpëtoi kapedan Naumin nga halli i madh. Kur u vra Pashai, Naumi u fsheh në një mik vërdovar në Stamboll, por hafiet, që e ndiqnin këmba këmbes, e kallzuan. Pasi e zunë, thonë se Sulltani deshi ta shikonte dhe si e pa, nuk foli asnjë fjalë, por bëri me shenjë t'i pritej koka dhe t'i vendosej në kamarën e atij jezitit tjetër. Kështu kokës së thinjur të Ali Pashë Tepelenës në kamaren e turpit në Stamboll i bënte nder vetëm një kokë shqiptari, ajo e Naum Shytës nga Mokra.

Në fund të shekullit të XVIII ikën nga Podgozhani për shkak të jetës së vështirë, si shumë të tjerë, edhe disa prej fisit të Vakove dhe u vendosën në Korçë. Prej tyre dolën të famshmit Kostandin dhe Athanas Zografi, që e morën këtë mbiemer për shkak të talentit të tyre për të pikturuar. Ata u bënë të njohur me pikturat dhe afresket e tyre në Korçë e Voskopojë, deri në qendër të artit bizantin, në Athos. Lidhjet e tyre me Vakollarët ishin të gjalla deri vonë.

Gjatë periudhës së ndritur të Rilindjes Kombëtare, Mokra u bë nga vatrat më të spikatura të përhapjes se shkrimit dhe këndimit shqip në tërë qarkun e Korçës e më gjerë. Në fillim të shekullit të XIX mërgimtarët e fshatit ndërtuan në Podgozhan një shkollë greke e cila daton që në vitin 1811. Mësuesi i fshatit që ishte edhe prift sipas traditës helene, u mësonte femijëve shqip me gërmat greke. Atëherë nuk kishte një alfabet të njësuar të gjuhës sonë. Kështu vetëm në qytetin e Korçës dhe në Mokër mësohej fshehur gjuha e nënës dhe në asnjë vend tjetër të qarkut që ishte nga më të përparuarit në tërë Shqipërinë. Në varrezat e vjetra të fshatit që nga kjo kohë janë të gdhendura në gur emrat, viti i lindjes dhe ai i vdekjes në shqip me gërma greke.

Në vitin 1891, vetëm 4 vjet pas hapjes së të parës shkollë shqipe në Korçë, në shkollën e Podgozhanit At Jovan Vako u mësonte fshehurazi fëmijëve gjuhën shqipe me gërmat e alfabetit të Sami Frashërit. Patriotët mokrarë nuk kishin aq flori sa të blinin fermanin e Sulltanit siç bënë ata korçarë me Nikolla Naçon e paharruar.

Dihet se historia e çeljes dhe mbajtjes së shkollave shqipe është një histori e përgjakshme me shumë heronj. Në altarin e kësaj historie Mokra dha dy dëshmorë të spikatur. Gjokë Pjetri që mori mbiemrin Shqiptari për atdhetarizmin e tij të famshëm dhe Aleks Andrea, që mori mbiemrin e fshatit për të nderuar vendlindjen. Po kujtoj këtu që në vitin 1908 u hap në Potgozhan e para shkollë shqipe kur nuk kishte të tilla asnjë fshat tjetër i rrethit të Pogradecit.

Toleranca fetare, aq e spikatur për të gjithë shqiptarët, në Mokër është gati proverbiale. Po sjell vetëm një nga shembujt e shumtë që qarkullojnë në tërë këtë treve.

Në fillim të shekullit të XVI nga tre vëllezërit e krishterë të familjes Bulku në Pevelan, njëri prej tyre, Tira, u kthye mysliman për të lehtësuar barrën e vështirë të taksave të Dovletit. Shumë shpejt e kuptoi se nuk pati ndonjë të mirë prej kësaj dhe i këshilloi të vëllezërit mos e bënin gabimin e tij. Sot, Tirollarët myslimanë banojnë në lagjen e poshtme të fshatit Dunicë, kurse Bulkut në Pevelan. Të ndërgjegjshëm për identitetin e tyre, ndonëse intuitivisht, për shekuj me radhë kanë ruajtur një miqësi të mrekullueshme paçka se ishin me fe të ndryshme.

Me pak vija penelatash tentuam të skicojmë një histori, si shumë të tjera, një thesar të çmuar që mbart i gjithë vendi ynë nëpër kohën e thinjur.

__________________________________________________

- Për përmbledhjen me ese “ Përthyerje ”

Zoti Haxhillari shkruan me shumë përkushtim dhe finesë çdo ngjarje, episod, përshkrim, deri te çdo frazë, duke shpalosur një përfytyrim tërësisht ndiesor, emocional, përkundur këtij djepi mbarësor. Çel një fletë të re në udhën e bukur po të vështirë të letrave.

Te “ Përthyerje ”, ai vjen befasues, i ngrohtë, konçiz, emocional dhe serioz. Në këtë paraqitje Istref Haxhillari troket dhe hyn në portat e lexuesve të shumtë si një mik fisnik, që sjell e shtron histori, figura, personazhe, njerëz të thjeshtë, tipa, portrete dhe karaktere. Me mjeshtëri artisti ka latuar bukur gjithë llojet e “ gurëve ” duke i dhënë jetë ripërtëritjes së shpirtit të njeriut të vërtetë, bujar dhe fisnik.

Eleganca e autorit shfaqet duke zhbiruar dhe përceptuar me ndiesi dhe finesë vlerat racionale të karaktereve. Përthyen në kohë njerëzit, kohërat dhe gjithçka të vyer që e ka mbuluar pluhuri nëpër dekada dhe shekuj të tërë.

Një dorë mjeshtri mëkuar me dashurinë e vendit të tij mund të shkruajë ese të tilla sepse ai është:

“ Bir nga nga balta e kuqe e Mokrës

E çative me plloça ngjyrë gri …

Penës së tij i vjen era e Tokës

që e bën më shumë njeri…”

Nesti Macolli

Poet

__________________________________________________

Nga një profesor fizike Istref Haxhillari shfaqet me një dimension të ri, atë të shkrimtarit dhe publicistit. Për një moment braktis ligjet e hekurta të fizikës për të hyrë në mbretërinë e letrave, ku arsyetohet me ligjet e zemrës.

Tani për ty yjet, planetet s'do të shihen me syrin e fizikantit, por të një artisti, shkrimtari. Vetëm forcën e gravitetit mos e harro! Personazhet e tu pa këtë forcë, do të ishin fluidë, jo tokësorë dhe ti s'do të shkruaje me aq dashuri...

Në çdo pjesë të “ Përthyerjes ”gëlojnë karaktere të portretizuar deri në detaje. Kjo vjen ngaqë ka njohje, raporte të shkëlqyera me njerëzit. Autori përdor një gjuhë elegante me nuanca kuteliane. Përdorimi i kësaj gjuhës e bën edhe më interesant librin.

Islam Bakollari (Lame)

Piktor

__________________________________________________

Vitet që shkuan për autorin kanë qenë vite intesive pune në fushën e shkrimeve dhe njëkohësisht vite të projektimit të mëtejshëm, të konsolidimit dhe konkretizimit të stilit të tij. Treguesi më autentik i saj është botimi i këtij libri si hapi i parë i kujdesshëm dhe i përgjegjshëm. Autori tani është më konkret dhe më komod para lexuesit, pasi është futur në bibliotekat familjare, por edhe ato publike.

Titulli i librit qaset me mënyrën se si autori i merr ngjarjet, faktet, materialin jetësor, si i përpunon dhe kërkon t'i transmetojë tek lexuesi. Termi “ Përthyerje ” i huazuar nga Fizika, i shkon për shtat librit që ka epiqendër një krahinë me përthyerje të pafundme territori, karakteresh, ngjarjesh.

Dhimitër Gegprifti

__________________________________________________

Istref Haxhillari ka punuar si bleta, kur mbledh nektar. Ka lexuar shumë, por është vetvetja. Shkruan për vendin e tij, të mos humbasë identiteti, kur sot ka krizë identiteti.

Bardhi Hyka

__________________________________________________

Ashtu si Gjok Shqiptari mbajti gjallë gjuhën shqipe, autori rreket të mbajë gjallë shpirtin shqiptar, të mos zhbëhet e të mos mpaket.

Vasillaq Buzo

__________________________________________________

Mënyra e të shkruarit është origjinale. Stili i ngjan Kutelit, i cili ka frymëzuar në vite shumë shkrimtarë në zë të letrave shqipe.

Riza Berberi

 

__________________________________________________


www.pogradec.info - Guida e Pogradecit ne Internet. Informacion i plote mbi Pogradecin, Hotelet ne Pogradec, Akomodimi ne Pogradec, transporti ne pogradec, arti dhe kultura e Pogradecit. Shkrimtaret e pogradecit, proza, poezia. Istref Haxhillari, shkrimtar.

Raiffeisen Bank Pogradec Albania
ProCredit Bank Pogradec Albania
Mobilje Italiane
 
 
All rights reserved Pogradec.info-2006©
All rights reserved Pogradec.info-2006©