Rreth romanit : Pesha e Kohes - Istref Haxhillari
Qasje
Istref Haxhillari që me librin e parë Përthyerje tërhoqi vëmendjen e lexuesve për freskinë e temave dhe tingëllimin poetik të fjalës. Autori i natyrshëm dhe inteligjent, ka ditur se çfarë subjekti dhe personazhi t'i japë lexuesit. Stili dhe fraza janë të bukura... Përthyerje është vepër dinjitoze me vlera kombëtare ( shkrimtari Haki Balliu, gazeta Mokra 10 shkurt 2008)
Në romanin Pesha e kohës autori jep mesazhin e paqes dhe harmonisë njerëzore, prej nga përfton afeksionet gjithëkohore. Aty ecën i sigurt në një hulli që duket se e rreh me pasion, por sidomos me origjinalitet. Mesazhi i librit është pjesë e mesazhit të përjetshëm që arti, veçan letërsia, synon t'i japë njeriut në një botë mbushur me dhimbje e përçmim. Sipas autorit koha metaforike është elementi me peshë specifike më të madhe se çdo element tjetër i natyrës. Shpërfytyrimi i njeriut prej kohës është më i trishtë se ai i vdekjes. Hëna vdes e re por vdekja nuk ia prishi hijeshinë siç do të kishte bërë mplakja ( koha ).
Koha e Istref Haxhillarit zbut shpirtrat e trazuara të njerëzve, mposht hakmarrjen dhe i zhvesh ata lakuriq, të mirë e të dhembshur siç janë në thelbin e tyre të vërtetë, në unin kristjan.
Ngjarjet zhvillohen në prerjen kohore në të këmbyer të shekujve që shkuan në një mjedis real e të përcaktuar. Njerëzit ndërtojnë jetën e tyre në shpatullat e maleve e ajo si për çudi shfaqet e përthyer te shpatulla e bagëtisë. Kalimi nga realja te e magjishmja bëhet natyrshëm, sepse buron nga mentaliteti natyral i personazheve, ashtu si ata përditë kalojnë mjegullat dhe hijet e mjedisit ku jetojnë. Elementët natyrorë shpesh bëhen përcjellës të situatave e raporteve njerëzore.
Autori me shpirt e sy përpirës, që nga fëmijëria e rinia ka qëmtuar dhimbjen e gëzimin dhe i përçon te lexuesi me ngrohtësi, ndjenjë që buron nga lidhjet e veçanta që krijon me atë që tregon e me ata për të cilët tregon. Pozicioni i rrëfimtarit është konceptuar jashtë rrjedhës së ngjarjeve, por brenda përjetimit të tyre.
Usta Tira që kishte në zemër e në mendje drithërimat e një misioni acarues, udhëton në një sfond ku dimri nëpër grendat dhe rrëpirat e maleve vuri ata brirët e akullt gjithëfarësoj
Struktura e romanit është vjedhur nga oda e miqve. Dy këndet pranë zjarrit janë poltronet nga ku nisin dhe mbarojnë detaje interesante jetësore. Ngjarjet administrohen nga dy familjet tipike, Krojanët e Arvenët. Nga një ndodhi disi e çuditshme dhe naive, në këndvështrimin e sotëm, marrin rrjedhë personazhe, mentalitete të patrajtuara më parë në letërsinë tonë. Dashuria e dy të rinjve, e veçantë dhe e pazakontë, një kundërshti ndaj mënyrës së të menduarit dhe moralit të kohës ngre furtunën dhe përshkon tejet librin deri në fund dhe mban pezull interesin e lexuesit. Respekti për njeriun dhe jetën që zoti na e jep vetëm një herë, në roman ka qasjen e vet te disiplina artistike e ngjarjeve, te roli i ç do episodi a personazhi.
Gjuha e zgjedhur dhe e lëmuar mjeshtërisht, muzikaliteti i të rrëfyerit, ashtu si kënga nis të burojë nga rrrëmuja dhe më pas e shtrin pushtetin mbi të gjithë, fjala e Istref Haxhillarit të pushton me forcën e saj, sepse përcjell tinguj e imazhe tejet interesante. Këtë e realizon duke shfrytëzuar gjithë arsenalin e gjuhës së folur e të shkruar. Të bie në sy forca që merr fjala në kontekstin e dhënë. Me vlerë janë ndërtuar alternativat e rendit të fjalëve në ligjërim, hapësirat melodioze që përcjellin aliteracionet e onomatopetë. Ngjyrim të veçantë i japin frazës ngjeshja e strukturave të formuara nga pjesoret e njëpasnjëshme, apo ngrohtësia e përdorimit të dhanores etike.
Autori i flet lexuesit vetëm shqip duke hequr nga fraza e shkruar prej tij fjalët e huaja që sot janë një farë mode perverse. Përjashtim bëjnë disa fjalë turqisht që në pesëqind vjet janë ngulitur thellë në fjalorin e banorëve të këtyre trevave dhe është vështirë hë për hë të shqipërohen saktësisht sipas kuptimit që shprehin. Në disa raste është tentuar të futen fjalë të reja të shqipes për të zëvendësuar fjalët e huaja si: - dukje ose duknajë për realitet, i përkequr për deziluzion etj. Se sa të drejtë ka le ta gjykojnë specialistët e gjuhës sonë.
Kemi në vepër një kohezion të plotë të ligjërimit me fjalën e zgjuar e të zgjedhur të njeriut të letrave me formim te gjerë e interesa fisnike. Sentencat e ndërtuara në meditimet e shumta janë interesante. Autori nuk mahnitet nga forca e mendimit të njerëzve që ta marrë atë të gatshëm e ta hedhë në libër, duke e mbushur me fjalë të urta e proverba. Ai ndjek rrugën e asimilimit të mendimit në strukurën konceptuale të arsyetimit. Këto i japin stilit të tij të rrëfyerit origjinalitetin e nevojshëm që buron e nuk sendërtohet me manierizma apo kozmetikë letrareske.
Leximi i një libri që i ka shpëtuar modës së perversiteteve në lumin e letrave të sotme shqipe mendojmë se është një kohë e harxhuar mrekullisht.
Bujar Balliu
Redaktor i librit
_________________________________________________
Autorit Istref Haxhillari
Për librin tënd Pesha e kohës ti ke dëgjuar shumë fjalë të bukura, pse të mos shijosh edhe disa vlerësime të tjera lumturuese, besoj objektive nga mësuesi yt?
Shëndeti nuk më lejoi që ta lexoj librin tënd me një frymë. Në frymën e parë disa vija iu shtuan termometrit tim
pushova që vijat të vinin në vendn e tyre
Kështu veprova me frymën e dytë e me radhë derisa e mbarova leximin në kohë rekord; pra me një frymë.
Librin e pëlqeu tejmase edhe bashkëshortja ime, e cila e mbaroi para meje; pra, me gjysmë fryme.
Jam shokuar nga vlerat estetiko - artstike që përshkojnë të gjithë librin tënd, të gjitha pjesët e tij, të gjitha faqet e tij, të gjitha frazat dhe fjalitë e tij.
Përmbajtja e pasur me episode interesante, të trajtuara shumë natyrshëm i shton vlerat e veprës.
Kini gjuhë të thjeshtë, të pastër e të pasur, pra me shumë kulturë. Hallall
Muzikaliteti ndjehet në tërë librin tuaj, harmonia në të gjitha pjesët e tij, melodia në çdo faqe të tij dhe ritmika artistike në çdo frazë e fjalë të tij. Bravo!
Ke evituar sorollatjet e panevojshme, duke shpalosur dramën e veprës që në faqen 14.
E keni mbushur librin me shumë zakone të bukura.
Kanalizimi i vlerave të zakoneve të librit mbështetet në dialektikën shkencore, në kushtet e vlerësimit të tyre në kohë dhe hapësirë.
Intensiteti i interesantes në ecurinë e librit vjen duke u rritur, pra vepra vjen në ngjitje.
Stili i veprës je ti vetë, një stil lakonik, konçiz, shumë i ngjeshur në ide e në fjalë.
E reja dhe progresi i saj në roman i ngjan një burimi me ujë të bollshëm që rrjedh tejposhtë gjithnjë e më furishëm. Edhe kënaqësia vjen në rritje me kalimin e faqeve.
Isha në ankth për zgjidhjen e kontrakdiktës në fund të librit, u lumturova që ajo u zgjidh natyrshëm e me mençuri. Pa këtë mençuri libri do të pësonte në fund një goditje të dhimbshme. Nuk ke asnjë kërcim pintarik apo zgjidhje dues eksmakina.
Mirë bëre që epilogun Përtej kohës e shkruajte vetë.
Mirë bëre që na e mbylle romanin aty ku deshe ti.
Sipas zakonit të uroj sukses. Po ku t'i gjesh e si të arrish suksese më të mëdha!?
Besoj të kem thënë, qoftë edhe një vlerësim, që nuk e kanë thënë të tjerët.
Vazhdo të shkruash!
Përshëndetje nga Petrua
22. 05. 2008
__________________________________________________
Epilogu i romanit Pesha e kohës
Përtej kohës
Puhiza e lehtë që vinte nga gryka e Trebinjës përkëdhelte me dorë të padukshme pemët e porsaçelura, gurët, njerëzit, prekte ç'gjente përpara, pastaj si përherë udhëtonte tutje për nga Kozici e Dragotina. Matanë lumit, përfund oborrit të Hodos, ftoi i lulëzuar ngjasonte me qilim
shumëngjyrësh ndehur anës gardhit.
Kroi, pa pushuar e pa u lodhur si gjithnjë, jepte ujët e kulluar që shëronte njerëz e bagëti me tre lyfytët ngrënë nga vitet. I vetëdijshëm për fuqinë zotëruese, shpërfillte kohën dhe sundonte përjetësisht me gurgullima. Më i vjetër nga tërë njerëzit së toku, kishte parë e dëgjuar shumë se vetë qëndronte përtej kohës. Po të kishte gojë do të tregonte histori pa fund për ngjarje e njerëz, miq të vjetër e të rinj që i kishte dashur apo i donte rishtas. Të vjetrit tkurreshin ca nga ca dhe iknin, pastaj vinin të tjerë, që prap mpakeshin e largoheshin, po ai qëndronte njëlloj, nuk plakej, as vdiste kurrë. Linte të vjetrit e zinte miq të rinj.
Së fundmi kishte zënë miqësi me një djalë të parritur mirë, leshverdhë, i bukur si rrallëkush. Vinte çdo ditë, luante me ujët e tij, pastronte ullukët nga myshku që po zinte shpesh e më shpesh dhe bisedonte me të:
- Ore plak, ç'e ke tërë këtë lesh gjelbërosh që të del përditë?
Kroi, qeshte pleqërishte, me zë mërmëritës dhe mendohej:
Mos vallë po plakem si njerëzit që kanë ikur pa kthim?
Miqësia e kroit plak me djalin qe e thjeshtë, e vërtetë, disi e çuditshme, sikur i lidhte një e fshehtë e pakuptuar, po sidoqoftë ata duheshin shumë, nuk rrinin dot larg, takoheshin ditë për ditë të malluar.
Hapat e fëmijës bënin tokën përreth tij të merrte frymë lirisht.
Më parë njerëzit grindeshin mes tyre, herë ngadalë si me të butë, herë me përçmim e inat, zinin prita anës tij, ishin goditur e gjakosur. Po sa vinte zireshin gjithnjë e më rrallë, më tepër i shihte përmalluar të përqafonin e, më shumë se kaq, puthnin njëri - tjetrin pa frikë e turp aty në sy të tij. Dikur i kishin zënë sytë nëpër mjegullirë dy të rinj, që larguar botës, vetëm shiheshin të malluar dhe qe çuditur së tepërmi, po këta të sotmit nuk fshiheshin si më parë dhe ai nuk habitej më.
Isi, burrëruar e pjekur nga koha dhe hallet, ishte mik i veçantë i kroit plak. Jeta i kishte marrë të krisur aty ndanë kroit, prej ku nisi sevdaja e tij që tronditi tërë fshatin e krahinën, shkundi nga themelet zakonin e moçëm dhe u hapi sytë njerëzve. Vinte shpesh, u hidhte nga një grusht ujë syve, pinte dhe kuvendonte më të. Kroi besnik ia dinte brengën, po kurrë s'i tha njeriu, nuk i nxori asnjëherë të fshehtën. Atëhere kur u fsheh te ai gromi sipër tij, larguar syrit të njerëzisë, kroi e pikasi, po nuk bëri zë hiç, u hoq sikur s'e kishte mendjen që të mos e kuptonin graria, mbledhur për të mbushur ujë.
Edhe tani pas kaq kohësh, kur kroi boshatisej mbrëmjeve, vinte shpesh me Lulen, nuk e harronte dot kurrë kruan që kishte ndryshuar rrjedhën e jetës së tij.
Një mbrëmje vjeshte, kur bimësia kishte marrë atë ngjyrën argjend në të verdhë, që i deh njerëzit e i bën ujem, Isi shikonte mendueshëm çesmën, si përherë. Një valë kujtimesh të përziera gjithëfarlloj i gurgulluan zhurmshëm në të gjithë qenien dhe me sytë e mendjes vështroi nëpër kohën e shkuar.
Çuditërisht kumti i shpatullës së deles u plotësua pikë për pikë.
Sevdaja, ndoqi ritmin e zemrave dhe natyrshëm me pafajësi mbijetoi. Përmbi vdekjen e hidhur u zbeh morali i vjetër dhe lulëzoi një jetë tjetërlloj. Ditën e martesës, zënë dorë për dore, shkuan te varri i Hënës dhe, me lot në sy, vendosën një tufë lulekaçe e manushaqe që sapo kishin filluar të bulëzonin atë fund marsi.
Iliri hidhte hapat e jetës nën përkujdesjen mallëngjyese të Smahilit. Pesha e fjalës së dhimbshme është tepër e madhe, jashtë çdo përfytyrimi njerëzor se sytë e shuar përtej vdekjes nuk i tret dheri ndaj gjëmë më të madhe s'ka si të ketë. Krojani i ashpër e i sertë u kthye në baba zemërbutë, plot ëmbëlsi. Flokët e verdhë dhe sytë bojë qielli të djalit i kujtonin atij dhe të gjithëve në fshat nusen e hirshme që nuk u harrua kurrë. Shpirti i saj jetoi te i biri edhe për shumë vite.
Miqësia e Kajos me Gorën vazhdoi gjatë edhe mbas tyre nga brezat që erdhën, gjer ditët e sotme, ( hakikati peshon më rëndë se gjaku ).
Zeni, shoku i halleve të pazakonta, mbeti edhe për ca kohë në çetën e Gorës. Ai s'mundi të kthehej se hakmarrja e gjakut nuk u mposht e nuk u shua kurrë, as sot e kësaj dite. Zakoni i lashtë u krasit e u mpak, po nuk u zhduk, la pas hijen e vrazhdë ashtu si zjarri le shpuzën nën hirin e pabesë.
- Eh, - psherëtiu Isi, - sa e çuditshme dhe e pakuptuar është jeta!
__________________________________________________
- Për romanin Pesha e kohës
Istref Haxhillari ndërton një jetë, përfytyron imazhe të një jete të cilën e ka pushtuar si njohje, përjetim, emocion. Një jetë që është thëthitur prej tij me siguri në vitet e njomështisë fëminore. Kjo jetë e përthitur ndër vite në surbulla përrallash, legjendash, mitesh, ndodhish të larmishme ia ka ndezur ding turbinat e imagjinatës dhe fantazisë. Romani Pesha e kohës ka ardhur kështu vetvetiu si një verë e vjetër që rri në një kade me dru lisi. E kam hasur një episod të ngjashëm te Sterjo Spasse e Jakov Xoxa e ca më të plotë si linjë romani te
Të munduarit e Hasan Petrelës.
Autori ka zgjedhur mënyrën kuteliane të rrëfimit, po brenda kësaj mënyre realizon vetveten me një individualitet dhe origjinalitet të kamur. Shfrytëzon me shpirt kërkues memorien e komunitetit, kërkon fjalë e shprehje të rralla si gurë të çmuar. Po fjala, leksiku janë të pamjaftueshme, prandaj merr brushat e piktorit në dorë dhe qëndis me një kolorit të gjallë ekspresiv natyrën, në stinë të ndryshme të vitit, në thëllimet dimërore dhe në harlisjet pranverore. U jep vendin që u takon peizazheve, lumenjve, proskave, kodrave, zabeleve, pllajave, maleve. Kërkon plotërinë dhe futet si njeri i brendshëm në interieret, banesat dhe sërish e di se asnjë syresh nuk ka pikë vlere kur s'ke takuar e dhënë njeriun. Njeriun me veten e tij dhe të tjerët që e rrethojnë.
Me gjuhë të zgjedhur, fort të përpunuar që përfton muzikë të vazhdueshme shijojmë rrëfimin brilant të Istref Haxhillarit dhe jemi në gjëndje të gjykojmë për të.
Prof. Dr. Adriatik Kallulli
Gazeta Telegraf 13 korrik 2008
__________________________________________________
Romanin Pesha e Kohës e mora ta lexoj si detyrim ndaj një miku. Disa faqe eca me këtë mendim po më pas fillova te hyj në fatin e personazheve, Isit dhe Lules, sidomos pasi Bari Blloshmi lexoi shpatullën e deles. Ankthi filloi të rritej. Herë pas here pyesja veten ku e gjeti këtë mjeshtëri Haxhillari të mbajë në ankth lexuesin si në një teatër tragjik? Sa vinte e bindesha se kisha në duar një roman dinjitoz, me vlera të larta estetike dhe origjinalitet të admirueshëm. Më mrekulluan veçan përshkrimet e natyrës që më kujtonin ato të Balzakut në disa romane të tij.
Ja disa pasazhe brilante:
Ishte ndajnatë herë, ( vini re lojën e bukur të fjalëve ndajnatë dhe herë, tingullin e përftuar ), buzë vjeshte kur bimësia merr atë ngjyrën argjend si në të verdhë dhe të ndjell në shpirt ca ndjesi të çuditshme, sikur fluturon, pa të merren mendtë dhe bie s'di se ku...
Apo:
Ashtu si kobeci fluturak bie mbi tufën e pulave që kullosin qetësisht në një arë me grurë dhe pështjellon gjithçka, ra Isi mbi tufën grarishte përqark kroit të fshatit...
Ose:
Fshati përgatitej të flinte...diku me zhurmë të shurdhët kërciti mëndalla e ndryshkur që mbyllte me zor derën e kasolles...
Gjithçka arrin kulmin te përshkrimi filozofik i Gurit të Kamjes:
Guri u bë një me Gorën si të ishin dy qenie të gjalla që duheshin shumë. Me shtat e sy vigani, natë e ditë vështronte krahinën, i gatshëm të fluturonte ku ishte rreziku...
Shkrimtari nuk ka marë përsipër vetëm të përshkruajë vendet e arenës së ngjarjes së bujshme të kohës. Ai hedh një dritë të re mbi hakmarrjen. Dashuria e personazheve triumfon dhe zbeh këtë fenomen të neveritshëm.
Ai thotë:
Hakmarrja është caku i mbrapshtë, i tejskajshëm, i papërgjegjshëm që përcakton gjithçka në fare pak kohë...
Shamia e rrëmbyer dhunshëm, pikënisja e fabulës së romanit, nuk është thjesht një shami alla Desdemone, po plaçkë lufte, ndaj kërkohet shpagë. Hakmarrjen e mposht në finalen e rrëfimit vdekja e Hënës flokëverdhë, nuses së re e të bukur.
Vdekja, thotë Haxhillari, lëkundi pa përjashtim shpirtrat e burrave, mposhti krenarinë e ushqyer nga sjellja e vjetër...
Kështu ulet natyrshëm, bindëse perdja e hakmarjes.
Qëmtimi i dollisë mokrare me ngritës e pritës të kujton një luftë të vërtetë. Dollia me fuqi mistike është një thesar më vete që pikturohet me penelata impresionuese në faqet e librit të Haxhillarit.
Pesha e Kohës është një brerore e artë e autorit, një libër që do të qëndrojë gjatë, thjesht e krenar, para mijëra shokëve të tij, stivosur radhë-radhë nëpër biblioteka.
Më kanë lënë mbresë disa metafora befasuese:
Era mpinte dëgjimin
Zjarri le shpuzën nën hirin e pabesë
Bijtë e vdekjes
Paha e sojit...
Pasi të ulem do ta pyes autorin në vesh ç'u bë me usta Tirën?
Dhe ju do t'u lë lejtmotivin:
Kroi boshatisej mbrëmjeve...
Dhimitër Pojanaku
Poet
_________________________________________________
Sipas autorit koha metaforike është elementi me peshë specifike më të madhe se çdo element tjetër i natyrës. Shpërfytyrimi i njeriut prej kohës është më i trishtë se ai i vdekjes. Hëna vdes e re po vdekja nuk ia prishi hijeshinë siç do të kishte bërë mplakja ( koha ).
Koha e Istref Haxhillarit zbut shpirtrat e njerëzve, mposht hakmarrjen dhe i zhvesh ata lakuriq, të mirë e të dhembshur siç janë në thelbin e tyre të vërtetë, në unin kristian.
Revista Kult
20 gusht 2008
__________________________________________________
Pesha e kohës mbart vlera estetike që përshkojnë nga filimi në fund të gjitha pjesët e tij, të gjitha faqet e tij, të gjitha frazat dhe fjalitë e tij.
Përmbajtja e pasur me episode interesante, të trajtuara shumë natyrshëm i shton vlerat e veprës.
Gjuhë e thjeshtë, e pastër e pasur me shumë kulturë. Muzikaliteti ndjehet në tërë librin, harmonia në të gjitha pjesët e tij, melodia në çdo faqe të tij dhe ritmika artistike në çdo frazë e fjalë të tij.
Gazeta Drita
15 qershor 2008
__________________________________________________
www.pogradec.info - Guida e Pogradecit ne Internet. Informacion i plote mbi Pogradecin, Hotelet ne Pogradec, Akomodimi ne Pogradec, transporti ne pogradec, arti dhe kultura e Pogradecit. Shkrimtaret e pogradecit, proza, poezia. Istref Haxhillari, shkrimtar.
|