Thikat e Vardarit - Tregim
Istref Haxhillari
“ Ky pluhur ishte burrë dikur ”.
Uitman
Vdekja e Denit qe e pazakontë. Përtej vdekjes ishte zhbërje lemerisëse pa varr, pa nam e nishan. Në buzë të natës, shpuar nga thikat e mynxyrshme të mërgimtarëve arratiakë, u zhyt në thellësirat e rrëmbyera të Vardarit. Lumi i egërsuar, mbuluar me shkumën e verdhë, e mbështolli në gjirin e errët trupin ende të ngrohtë. Nuk i shkoi kurrë në mendje se do të largohej aq shpejt në gjumin e pacak prej njerëzve të një vendi e një gjaku. Tashmë qe shndërruar në fantazmë, hije, erë që rrihte brigjet e rrudhur, zëri i ëndrrës në humbëtirë. I vdekur i përkorë nuk kërkonte asgjë, të gjallët u bënë grykës të pangopur, makutë të mëdhenj, nuk u mjaftonte bota e tërë.
Punonin në të zezë. Denit i shkoi mbarë, për afro dy vjet fitoi të holla, mbledhur pak e nga pak, me kursim të vazhduar, shpresëshumë. Trazuar së brendshmi i paloste në portofolin e lëkurës fshehur mes ëndrrave. Gëzohej kur paratë shtoheshin dora - dorës. E donte sipërisht jetën, njerëzit dhe viset e tij të cërkta plot male e gurë. Malli e gërryente përditë si krimbi drurin e gështenjës. Përsillte pa pushuar në kujtesë fëmijët, gruan, nënën plakë, pafundësisht të dhembshur, që mbante dertet e tërë njerëzve mbi trupin e imët përkulur nga pleqëria.
Për çdo ditë, pa harruar as edhe një herë të vetme, plaka hidhte vështrimin tutje bregut nga do të vinte i biri mërguar larg. Gjethet e lajthisë çelën në pranverë, u skuqën dhe ranë vjeshtës së vonë kur e verdha e zbehtë dremiste ndaj së artës flakëruese. Priste me ankth të bleronin sërish, ndillte pranverën me zjarrin e shpirtit, dashurinë e pafund të mëmësisë, përjetësisht e tillë edhe kur ik në botën tjetër.
Një ditë shtatori Seli Serdillëku i tha, si rastësisht.
- Ne vendosëm të kthehemi, nuk e shtyjmë dot më gjatë këtej.
Me vështrim të përhumbur diku në hapësirë, lajmi tingëlloi natyrshëm mospërfillës, pa nerv. Deni u mendua një copë herë. Pak shpejt për të, duhej të rrinte edhe ca, po rast më fatlum të kthehej me shokë të një sëre nuk do të gjente. Rrugët e mërgimit janë përherë të pabesa, ndaj vendosi të largohej bashkë me ta. Disa ditë më shumë nuk ndryshonin asgjë.
- Do të vij dhe unë, kur bëhet mbarë?
- Të hënën ka linjë autobusi për Shkup, pastaj jemi afër marrim taksi.
U nisën në një ditë llamburitëse vjeshte të nxehtë, freskuar nga rryma të vakëta ajrore. Vija automobilistike gjarpëronte anës lumit Vardar, mbytur prej gjelbërimit vjeshtarak. Pas muajve të gjatë larg vendit dhe njerëzve të afërt, nisja ndizte shijen e jetës. Denin, me shprehjen lehtësuese nga mërgimi mbetur pas, bitisur me përkushtim dhe zemër të qëruar, udhëtimi e gazmonte. Përgjatë rrugës spërdredhur të kthimit fatal mbllaçiste kujtimet. Plaka e imët, e dhembshur me një mal dashurie bekonte ardhjen e tij si vegim në përgjumjet e netëve dhe ditën syhapur. Çuditërisht mbrëmjen e fundit iu përgjërua.
- Ç'i ke ata ujq që po të sjellin o bir? Ruaju prej tyre!
U zgjua i tmerruar në dhomën ku rrinin bashkë prej dy vjetësh. Vështroi Selin dhe Taren që flinin krah tij. Bënin gjumë të shqetësuar mbuluar me djersë. Seç murmuritnin të ligështuar sikur i përndiqte një gjëmë errëtiake e parrëfyer. Nuk i ngjanë me ujq.
- Punë ëndrre, - mendoi, - nëna gjithnjë ka pasur merak. Kushedi ç'mendojnë të gjorët këtej dheut të largët. Askush nuk i di saktësisht halle t e tjetrit.
Në hotelin e zhurmshëm zunë një dhomë të tre, si tërë kohës jashtë vendit. Vendosën rrobat në komotë pranë shtretërve. Kuleta e Denit lagur me djersën e mërgimit ua bënte me sy mëkatarëve, u jepte forcë të shpinin gjer në fund krimin, ngjizur herët së largu.
- Dalim shpijmë këmbët bregut të lumit, - propozoi Tarja zëngjirur buzë muzgut thinjash të Shkupit.
Nuk shikoi asnjërin. Frika e mbështillte në guackë gjembash, e skërmiste ngado. Deni i drejtë pafaj nuk pikasi kobin, sidoqë shenjat s'mungonin. Duket se një fat i paracaktuar mbyll gjithnjë shtigjet e dyshimit, çon viktimën drejt fundit të nxirosur.
Mbrëmja gri kotej e përgjumur. Shkupi gërhiste shtrirë në dyshekun pafund. Shpërndarë në sipërfaqe të madhe ishte qytet i veçantë me histori të ngatërruar, tejzgjatur thellë nëpër kohë. Shtëpi të vogla rrethuar me avlli, kopshte e pemë të bollshme mbirë gjithandej në tërë sipërfaqen e sheshtë. Në qendër, pallate të larta me shumë kate u mernin mendjen të huajve ardhur për herë të parë.
Secili zvarriste mendimet e veta. Deni pati punuar dikur në një firmë të madhe që ngrinte diga përmbi lumë, e njihte qytetin. Vështroi i menduar përreth.
Vardari rrëshqiste në shtratin zgjeruar beter. Shkumëzuar, i frikshëm ngjante me shtazët mitologjike, si punë sprije. E përshkonte qytetin e vjetër tejpërtej, zgjeruar jashtë mase nëpër fushë. Marrëdhënia e lumit me qytetin qe disi e veçantë, e pangjashme me vende të tjera. Mot pas moti, në dhjetra e qindra vite grabiste tokën e çmuar. Njerëzit ngrinin ledhe, e ngushtonin në shtratin e vjetër, përpiqeshin të rifitonin atë që u merrte grabitqari i përjetshëm. Vardari duronte ca kohë, zhurmonte ngadalë nëpër hundë. Kur hungërimat e tij nuk përfilleshin, në fillim të pranverës, tallazitur e kreshpëruar prishte pengesat, kopshtet, shtëpitë dhe e çonte kufirin përtej të mëparshmit. Mbuluar me shkumë, i fuqishëm, zhurmëmadh tallej me banorët. Lufta e njerëzve me lumin, herë - herë ashpërsohej, merrte përmasa të çuditshme si askund tjetër. Në betejën e gjatë të paprerë përleshja nuk mbaronte kurrë. Armëpushimi zgjaste ca kohë, pastaj vinte një çast dhe Vardari i pabesë fshehur, natën kur armiqtë e tij të shumtë flinin, bënte kërdinë. Njerëzit këqyrnin të nemitur lumin e madh, tek shkundte krifën e verdhë ngjyer me dherat e grabitura.
Vardari pati qenë si sot kohës së largët kur brigjeve të tij gjallonin të tjerë njerëz, me të tjera ëndrra dhe dëshira. Deni tundi kokën tek vështronte lumin e potershëm dhe buzëqeshi me çuditë e vendit të huaj.
Malli gërryen shpirtin, gremis cenet, e pastron, e bën më të ndjeshëm njeriun. Mornica të trembura, si parandjenja hidhërake i vrundulluan nëpër trup. Koha e tij po shteronte mizorisht me shpejtësi marramendëse. Ai, ëndërrimtar, sodiste pamjen e mrekullueshme të Vardarit, veshur me misterin e kohës. I verbëri nuk e sheh dritën dhe pandeh se fajtor është dielli. I verbër nga pafajësia, nuk e shihte greminën, as besonte se ata ishin vrasës.
Shokët e udhës çuditërisht qenë shndërruar në ujq. Egërsia e tyre shpërfillte mallin, nuk njihte drithërimat e shpirtit të munduar, as frikën e Zotit. Smira u kishte errur sytë, nëpër veshë u vikaste djalli. Fajtorë në ndërgjegjen e tallazitur, qenë mbledhur e tkurrur si një grimë e imët brenda mjegullnajës së fajit.
Nuk patën kurajë ta shikonin në sy.
Thika e parë u ngul mes shpatullave, thellë gjer në dorezën e fildishtë. Deni u kthye rrëmbyeshëm i habitur, murrëtyer nga dhimbja. Thika e dytë hyri me shpejtësi në stomak. Ulëriu i mbledhur kruspull me duart në bark. Gjaku vërshoi me shkulma i pastër, i pafajshëm. Ende në ngërçin e vdekjes, pa dhënë frymën e fundit e shtynë dhunshëm në lumë. Vardari e përlau si cingël.
Seli Serdillëku, me kuletën e përgjakur në duar, ktheu sytë në anën tjetër. Shpërthyen të vjellat. Në fytyrat e vrasësve u damkos me hekur të skuqur shembëlltyra e të vrarit. Shpirti i sapoçliruar, formë fluide e pakapshme, endej kërcënues përreth. Që nga ai çast zuri fill përndjekja pa mbarim, shtyrë përtej udhëtimit mizor. Vdekja i tmerroi, siç nuk e mendonin, gjumi u shpërbë. Shpërfillën vdekjen, e larguan nga vetja, pa e ditur se do ta përtypnin ligsht tepër vonë, kur koha nuk kthehet pas dhe asgjë nuk mund të zhbëhet...
Të vdekurit asnjëherë nuk i lenë qetë të gjallët, sidomos mëkatarët.
Pak ditë pas kthimit Heisi, i merakosur e brenguar prej heshtjes së mjegullt, erdhi me një frymë në shtëpinë e Selit.
- Ku është im vëlla? S'u kthye me ju?
- Jo, nuk erdhi.
- Ne e dimë, punonit bashkë. Tok ikët e tok duhet të ktheheshit, ç'ka ndodhur, pse s'më thua? - dyshoi Heisi i tronditur.
- Nuk më beson? - ia ktheu tjetri.
- Ju fshihni të vërtetën, ku e çuat Denin? - u kërcënua djali me grushte shtrënguar.
- Nuk e di.
Seli Serdillëku u frikësua më tepër nga e vërteta përvëluese se kanosja e Heisit. U betua skajërisht rëndë.
- Në gënjej, pifsha gjakun e fëmijëve të mi.
Përmes një lumi fjalësh zuri t'i mbushte mendjen se ishte i pafajshëm. Fliste me gjeste, zënë në kurthin e mëkatit dhe nuk thoshte kurrgjë në një zhurmëri të shurdhët. Si të gjithë ata që flasin me zë të lartë, thoshte vetëm gënjeshtra, rrekej ta turbullonte e mbështillte të vërtetën me mbulesën fshehtarake të heshtjes së mistershme.
Tjetri e besoi, madje i erdhi keq. Kërkoi ndjesë, u largua i menduar.
Po nënës nuk i lahej zemra, përndjente të ligën e madhe, gjëmën e Vardarit të mallkuar. Natën dhe ditën, njëlloj i rrinte përpara djali i gjakosur. Deni i vdekur mërmëriste pa pushuar për veshët e të gjallëve që tendoseshin mundimshëm ta zhbironin. Plaka dëgjonte me zemër. Veshët e kishin lënë dhe nuk kapte as zërat e të gjallëve. Nata e saj u kthye në rrobë vjetërane të grisur e pluhurosur, ku koha e thinjur s'shihte më dhe priste duart me gërshërë.
- Shko te Tarja, - i tha Heisit, - pyete hollësisht.
Tarja e priti me pekule si të mos kishte ndodhur asgjë. E dëgjoi, pastaj për të larguar dyshimin u përgjërua për njerëz e shtëpi. Tjetri përsëri besoi, betimi qe i plumbtë.
Fantazmat dhe mistika janë gjithnjë narkotik i kobshëm për njerëzit e thjeshtë, që besojnë te njeriu dhe e vërteta.
Gruaja e moshuar, plagosur ligësht, nuk i vuri gur zemrës, nuk mundej. Më rëndë se vdekja e të birit peshonte misteri, më torturues se të dy, varri i munguar. Ku ta qante djalin e humbur? Dilte te porta e shtëpisë, vështronte bregun e lajthive, niste kujën ditë për ditë. Brenga e pasosur e çoi shpejt në varr. Kurrë nuk e besoi humbjen e Denit. Jo, djalin e vranë, prandaj amaneti i saj qe mallkim:
“ Betimet e atyre që i copëtuan djalin të ngjizeshin një ditë ”.
Si i përndjeu vrasësit e të birit? Ç'fuqi misterioze i shtinte në vesh të vërtetën e kobshme? Ndoshta zemra e nënës ka receptore fshehtarakë të pakuptueshëm për të tjerët, të errët po të pagabueshëm.
Koha e mbështolli me cipë të hollë transparente zhdukjen e Denit. Dalëngadalë enigma e zbërdhylur u zhyt nëpër ditët e ujshme. Jeta hepohej, tërhiqej zvarrë ngecur në lakun e mungesës përvëluese, të pazëvendësueshme.
Fajtorët gjithnjë e më shumë përjetonin ditë të hidhura. Deni mungues, hijerëndë i gjëmshëm, trazonte netët e tyre, prishte drejtpeshimin e kohës. Hija e tij përcillte kërcënim, ankth, tmerr. Jeta e vrasësve pati marrë krisje të honshme.
Nga të dy Tarja i ri mbahej më mirë.
- Duhet të mos e mendosh, - i thoshte shpesh, - ç'u bë nuk kthehet mbrapsht. Mirë ishte të mos e kishim bërë.
Pendesa e vonëshme s'i hynte në punë askujt, nuk ndreqte deformimin e kohës, as shëronte plagët e hapura, që kërkonin shpagë...
Tre vjet më vonë, kur vjeshta indiferente zhytur në të verdhë përkëdhelte butësisht ajrin si atëhere mbi lumin Vardar, grupi i ndërtuesve rimëkëmbte shtëpinë e rrënuar të Tares.
Krusma pati qenë e vrullshme, e shpejtë e pakkohshme, kapërceu përfytyrimet e njerëzve dhe përndezi ankth. Në mesnatë, kur askush nuk e priste, vendi gjëmoi, u drodh së brendshmi, pastaj shpërthyen rrapëllimë gurësh e dherash, përzier me ujrat e turbullta të rrëmbyera. Duart e vjeshtës së vonë trazuan gjirin e vendit, ku qe kacavjerrë banesa. Peizazhi lëvizi gjymtyrët si uloku që fillon të ecë. Rrëshqitja e çrregullt tronditi rrëmujshëm hapësirën. Vendi i mëparshëm tani mbetej bosh, i hontë si shpellë e frikshme ku hedhin valle lugetërit.
Njerëzit braktisën strehëzën e vjetër me nxit e rrëmbim dhe vështronin të hutuar groposjen e llahtarshme. Po Tarja s'arriti të dilte. Trupi i tij humbi pa kthim në honin e shëpisë, e përpiu toka. Nuk u gjet kurrë, varri i tij mbeti bosh. Të gjithë u çuditën me gjëmën e pakuptuar e të papritur. Vetëm Seli nuk u habit. E pati zili tjetrin me atë ikje të beftë, të menjëhershme.
Ndërtuesit punonin të përqëndruar dhe bluanin çuditë e pakuptuara të botës. Ishin lodra në duart e Zotit, asnjëherë nuk dihet ç'sjell rasti.
Seli Serdillëku i muzgëtuar pinte duhan dhe shikonte përreth i vrerosur. Nisej herët, zvarritej pas të birit i heshtur, pastaj vështronte i ngurtësuar gjer në fund kur fillonte të errej dhe burrat e lodhur ndërprisnin punën. Në të njëjtën trajtë përsëritur pa fund, i vidhte kohën ditës.
Vardari ia ngriu tiparet. Vegjetonte futur në qyngjin e sfilitjes. Pas vdekjes së Tares shpresa u shkërmoq, e ardhmja qe pluhurizuar. Seli Serdillëku tmerrohej prej betimit, jo vdekjes. Hija e Denit dalëngadalë fitoi tiparet e vetë njeriut, humbi identitetin e skeletit. I qëndronte mbi kokë, pa shkëputur asnjëherë. Largësia kohore afronte vrasjen, zbulonte hollësira që nuk i pat menduar në çastin fatal, ashtu si distancat hapësinore qartësojnë pamjet e qenieve stërmëdha, të pakuptueshme kur je afër.
Kohët e fundit nuk i ndahej të birit. Arensi qe i mbarë, punëtor me shpirt të madh, i kudogjendur. Mburrej me djalin, po në një kënd të shpirtit qe ulur galiç e panjohura. Betimi turbullonte shikimin, e brengonte pa mëshirë. Ankthi kapërcente jetësimet e përditshme, gëlltiste dritën, përthithte terrin kobndjellës të natës.
- Si mund të lahet Vardari? - bluante me vete ditë për ditë pa pushuar asnjë herë të vetme, pa gjetur asnjëherë përgjigje.
Në vegimet e tymta, të pasosura, lumi nakatosur me gjak, turfullonte i shkumëzuar, nuk gjente prehje. Deni e paralizonte në një përleshje, që s'mbaronte kurrë.
N uk e largonte dot pamjen e tij me thikat ndërkallur përreth trupit të drobitur. Thika e Tares e plagosi, thika e tij vulosi vdekjen. Sytë e hapur tej mase i rrinin përpara edhe ditën, kurse natën nuk e linin të mbyllte sy. Me cilin të ndante brengën e nxirosur? Tarja nuk e dëgjonte strukur në humbëtirën ku ngriti folenë e errët të përjetshme.
- Ç'kërkon, - pyeti i trazuar.
- Më hiq thikat, kam dy vjet nuk i mbaj dot, - u përgjigj i vdekuri me dhëmbët përjashta, sikur qeshte.
Zëri vinte mbytur i paqartë, teksa figura e turbulluar ndërronte pamje në çdo fjalë. Hera - herës zhdukej, shquhej vetëm nga tingulli i zërit të çjerrë. Në raste të tjera formësohej plotësisht, dyllë i verdhë pa asnjë pikë gjak në shtatin e kruspullosur, si ditën e nëmur pranë lumit Vardar .
Seli Serdillëku u mpak i terrorizuar.
- Ah Zot, si nuk na vajti mendja ta varrosim! Oh, i mjeri unë! - rënkoi.
Tjetrit iu dhimbs. Në pasvdekje, botën e padukur të hijeve, ato të lashtat janë më të ndieshme se hijet e reja. Kohës së shtyrë arratisur prej të gjallëve, skeletët bëhen më të mirë, më të logjikshëm. Hija vuri dorën e holluar ngjyrë vjollcë përmbi dorezën e thikës në stomak. U mendua.
Dy vjet me thika nëpër trup, njërën thellë në bark, tjetrën mes shpatullave, dy vjet lëngatë pa fund, nuk donte askënd të vuante si ai. Ishte e pamundur që i gjalli të hynte përkohësisht në botën e të vdekurve, ose përngaherë, ose hiç fare. Deni e kishte robëruar, me mungesën e tij ishte tmerrësisht i pranishëm. Pa mëshirë gllabëronte çast pas çasti copëzat e jetës së mbetur të Selit. Së fundi foli i vrenjtur.
- Mbaj betimin!
- Po të var veten, të hidhem nga shkëmbi ose në zjarr?
- Thikat ose betimin, - këmbënguli hija e mjegulluar.
Hapat e Denit, fjalë në buzët e ajrit, pamja e tij çatall i mprehtë në nofullën e humbëtirës. Nuk kuptohej nëse e shikonte apo jo. Herë trupëzohej, dukej qartë, pastaj shformohej, vinte rreth pa ia ndarë shikimin e nemitur. Seli Serdillëku e ndiqte me sy, s'lëvizte dot, rënkonte i trullosur.
Nuk mund të përballonte atë jetë mjerane, gjendjen e pezullt mes të gjallëve dhe të vdekurve. Nuk ishte jetë, as vdekje, po përzierje e përçudnuar e të dyjave, një makth i pambaruar tejzgjatur nëpër ditët e ciflosura nga hidhërimi. Jeta e tij ishte kthyer në një sprovë torturuese për t'u prehur në pllajën e të shumtëve.
Vdekja, më e ndershme dhe më e thjeshtë se jeta, i vetmi shpëtim.
U ngrit ngadalë pa zhurmë, me lëvizje të përpikta somnambuli. Vendosi litarin në ganxhën e koridorit dhe hipi mbi një karrike. Rrotulloi hallkën në qafën e holluar të rrudhur, shtyu me këmbë mbështetsen. Litari i përbaltur e shtrëngoi fort, fryma i mbahej me shpejtësi, po çuditërisht u ndje i lehtësuar. Iu dorëzua flijimit ëmbëlcak, i vetmi shpëtim nga makthi i vazhduar përgjatë tre viteve stërgjatur pa mbarim.
Në lëkundjen e dytë e priti Arensi. Këputi litarin, e mori pa ndjenja në krahë. Kur erdhi në vete, nuk kuptonte ç'kishte ngjarë. Kuvendoi si çdo natë me Denin, më tej s'kujtonte asgjë. Një muaj përhumbi në jerm, fliste përçart, bënte shenja misterioze. Seç bisedonte me një hije të padukshme që nuk i përmendte asnjëherë emrin. Nuk përgjigjej kur e pyesnin, nuk kuptonte asgjë. Të gjithë ia hoqën fillin.
- Me gjysmë mendje, - thoshin, - e ndjeftë Perëndia të gjorin.
Tretur, kockë e lëkurë doli nëpër rrugë. Ndiqte pas të birin, mospërfillës, i ftohtë. Fytyra e ngurtësuar nuk përthyente asgjë. Nuk i përjetonte ngjarjet, vetëm vështronte i menduar e brenguar pa fund. Rrëshqitja e dheut nuk i bëri përshtypje, e përcolli pa ndonjë shqetësim të dukshëm. Vdekjen e pazakontë të Tares e harroi, nuk i kujtohej më. I vetmi ndryshim në ditën e tij ishte rruga për te shtëpia, ku ndërtonte Arensi. Me sytë pa shprehje si kufomë vështronte djalin, që punonte vrullshëm, bënte shaka. Herë pas here hidhte vështrimin nga i ati.
Seli Serdillëku kotej përgjumshëm. Arensi e ndiqte me sy i shqetësuar.
Kur i ati u përkul mbi gjunjë në dremitjen e gjatë, djali u drodh, nxitoi t'i vinte në ndihmë. Në kthimin e vërtikshëm humbi drejtpeshimin. Ra nga skela dhe u përplas mbi grihën mprehëse. Tehu i ndau gjoksin më dysh, firoi jetën e re në fillesën e saj.
Burri u zgjua nga thirrmnaja, pa pikë gjaku në deje. Nuk foli asnjë fjalë, nuk derdhi lot. Fytyra pa shprehje ishte e ftohtë akull. Pamje e lemerishme, përtej vdekjes, përtej çdo zezone tjetër.
E priste prej kohësh, madje u vonua shumë.
Me hap të ngathët iu afrua të birit që po jepte shpirt. Plogështi e nëmur, e llahtarshme. Të tjerët i hapën udhë lebetitur nga vdekja e Arensit, po sidomos qetësia e kobshme e të atit.
Seli Serdillëku u përkul mbi kurmin e hijshëm të djalit, futi qetësisht duart në gjoksin e çarë, të përçudnuar dhe mbushi grushtin me gjak. E piu gjer në pikën e fundit, i babëzitur, pastaj u largua ngadalë, pa kthyer kokën, në një udhë të mistershme pa kthim.
__________________________________________________
www.pogradec.info - Guida e Pogradecit ne Internet. Informacion i plote mbi Pogradecin, Hotelet ne Pogradec, Akomodimi ne Pogradec, transporti ne pogradec, arti dhe kultura e Pogradecit. Shkrimtaret e pogradecit, proza, poezia. Istref Haxhillari, shkrimtar.
|